Kanë rinisur në Bruksel bisedimet për Breksit mes negociatorëve britanikë dhe atyre europianë. Ndërsa Londra zyrtare insiston për progres, pala europiane deklaron se shanset për një marrëveshje të re janë të pakta dhe se Unioni nuk mund të heqë dorë nga kufiri irlandez.
Në Bruksel kanë rinisur të premten bisedimet për Breksit, në një kohë kur në BE ka pesimizëm mbi shanset për arritjen e një marrëveshjeje të re. Kryenegociatori i Unionit, Mishel Barnier deklaroi para takimit me homologun britanik Stefen Berklej se ofertat e propozuara deri tani nga pala britanike për të hequr dorë nga opsioni i kufirit irlandez ishin jofunksionale. Megjithatë, qeveria në Mbretërinë e Bashkuar insiston se në bisedimet mes palëve është arritur progres, edhe pse mbeten shumë pengesa deri në arritjen e një marrëveshjeje. Por sipas raportimeve të BBC, diplomatët europianë janë të mendimit se shanset për finalizimin e një marrëveshjeje të re brenda datës 17 tetor, kur mbahet dhe samiti i BE-së, janë të reduktuara. Britania e Madhe parashikohet të largohet nga Unioni më 31 tetor, edhe pse ligjvënësit britanikë kanë miratuar një ligj që e detyron kryeministrin Boris Xhonson të kërkojë një shtyrje të afatit nëse nuk arrin të kalojë një marrëveshje në Parlament brenda 19 tetorit. Nga ana e tij, Xhonson ka insistuar se çdo marrëveshje e rishikuar e Breksit duhet të përfshijë heqjen e kufirit irlandez. Por në prag të takimit të së premtes, negociatori Barnier tha se zgjidhjet e propozuara në këmbim nga qeveria britanike vinin në rrezik tregun e përbashkët europian. /ABC News Albania 24/7

