Ringritja, befasia dhe objektivi “minimal”: Mancini zbulon Italinë e tij

schedule11:57 - 20 Shtator, 2019

schedule 11:57 - 20 Shtator, 2019

Kombëtarja italiane preku fundin nëntorin e vitit 2017. Të kaltrit nuk ia dolën të mposhtin Suedinë, madje nuk shënuan asnjë gol në dy përballje. Në fund u kualifikuan nordikët në Botërorin e Rusisë dhe Italia mbeti jashtë.

Kriza ishte e madhe dhe kritikat nuk mbaronin kurrë. Federata zgjodhi Roberto Mancinin në krye të stolit dhe trajneri i njohur u shpreh se do i besonte lojtarëve të rinj, të cilët do të ringrinin Italinë nëpërmjet një futbolli të bukur.

Atë periudhë nuk e besoi askush, ndërsa koha ka filluar t’i japë të drejtë. Zhgënjimi i madh është “harruar”, kombëtarja ka filluar të funksionojë dhe rezultatet po vijnë. Italia renditet e para me 18 pikë të plota në grupin J të eliminatoreve për Kampionatin Evropian të vitit 2020. Kjo ecuri ka surprizuar edhe Mancinin, i cili shfaqet tepër ambicioz në prononcimin e dhënë për “Il Mattino”.

“Nuk i prisja gjithë këto rezultate pozitive, por jemi në rrugën e duhur dhe nuk duam të ndalemi. Nuk mund të shkojmë në Evropian pa pasur objektiv fitimin e kompeticionit. Jemi Italia dhe kemi historinë dhe traditat tona. Kemi krijuar një grup të fortë, luajmë bukur futboll dhe djemtë po ndjekin me entuziazëm rrugën e cilësisë. Kjo është e vetmja rrugë që të dërgon te suksesi”, thekson trajneri i katër herë kampionëve të botës. /abcnews.al