Lucas Moura shënoi një tregolësh historik sezonin e kaluar kundër Ajax dhe dërgoi Tottenham për herë të parë në histori në finalen e Champions League. Ndryshe nisi sezoni aktual me braziliani ofensiv që u aktivizua shumë pak nga Mauricio Pochettino, ish-trajneri i ekipit.
Ulja e Jose Mourinhos në stol “ringjalli” Tottenham dhe Lucas Moura. Portugezi i besoi 27-vjeçarit dhe ky i fundit ka shënuar 3 gola në 5 ndeshje. Gjithçka ka lidhje me motivimin dhe braziliani ia kalon çdo meritë trajnerit në deklaratën e dhënë për The Sun.
“Nuk është e nevojshme t’u flas për cilësitë e Mourinhos. Të gjithë e dinë se çfarë mund t’i japë skuadrës dhe që është një trajner fitues. Jam i sigurt që mund të na japë shumë. Nuk luaja shumë me Pochettinon më parë, por Mourinho më ka dhënë besim.
Ka ndikuar në ndërgjegjësimin e vlerave të mia dhe po më jep mundësinë të bëj mirë. Me ndryshimin e një trajneri ndryshon edhe motivimi, kjo është normale. Dua të tregoj se sa vlej“, përfundon braziliani i Spurs. /abcnews.al