Sikur frymëzohet kur luan ndaj skuadrave të këtij qyteti.
Armando Broja gjithmonë ka qenë I fortë përballë një Manester Siti apo Mançester Junajtidi, dhe nuk zhgënjeu as këtë herë.
Sulmuesi I kombëtares shqiptare rikujtoi edhe një herë kohët e arta të huazimit tek Sauthemptoni, ndonëse që nga ajo periudhë kanë kaluar tre vjet e gjysmë.
Njëzetetrevjeçari u aktivizua për të katërtën herë radhazi në Premier Ligën angleze, ku tashmë vazhdon me huazimet, veçse në veri, tek Evertoni.
Trajneri Shon Dajsh ende nuk ka qenë I bindur për ta aktivizuar titullar, gjë që nuk ndodhi ndaj Uolvesit, as kundër Arsenalit, dhe po ashtu në përballjen me Mançester Sitin në mesjavë.
Gjithsesi, 123 minuta në fushë në katër sfida nuk janë pak për një lojtar që nuk luante në kampionatin anglez që nga 11 maji.
Po ashtu, kaq kohë I ka mjaftuar që të fitojë zemrat e tifozëve.
Edhe pse nuk cilësohet aspak si një futbollist kryesor apo shtyllë e Bluve të Liverpulit, sërish në ajër ndihet se diçka e mirë është duke ndodhur.
Etapa tek Evertonit ngjan shumë me atë tek Viteshe apo Sauthemptoni.
Futbollisti ndihet I vlerësuar, I jepet shpresë dhe besim nga stafi teknik, ndryshe nga periudhat e copëzuara me Çelsin, ku edhe pse ishte djalë shtëpie dhe rinovoi kontratën deri në 2028, ndihej gjithmonë me valixhe në duar.
Edhe më keq tek Fulhami ku ndoshta u penduan që e huazuan në janar të këtij viti.
Tifozët evertonas kanë nisur të kërkojnë nga trajneri Dajsh që ta aktivizojë më shumë shqiptarin, dhe madje këtë ta bëjë në kurriz të atij që cilësohet si sulmuesi kryesor I ekipit, Dominik Kalvert-Ljuin.
Nuk është se e kanë shumë gabim, pasi ylli kuqezi u aktivizua për të tretën ndeshje radhazi, dhe kundër Sitit ishte për 20 minuta në terren.
Futbollisti I kombëtares shqiptare u tregua I rrezikshëm, sidomos kur iu dha mundësia të kishte hapësirë dhe të shfrytëzonte kundërsulmin.
Po ashtu, ishte mbështetje për lojtarët e tjerë duke I ndihmuar që të synonin portën e kampionëve të Anglisë.
Tifozët, sipas mediave angleze, janë në një zë që Armando duhet të luajë më shumë, ndërsa Kalvert-Ljuin duhet të ulet në stol, për të parë se çfarë do të ndryshojë në ekip.
Ata janë të pakënaqur që anglezi 27-vjeçar ka 1300 minuta aktivizim, por vetëm dy gola e një asist.
Deri tani Broja ka qenë në fushë në vetëm 4 për qind të kohës së përgjithshme, niveli duhet të llogaritet për aq ndeshje sa ka qenë pjesë e ekipit.
Në tri sfidat e para të kampionatit, Broja është aktivizuar në 19 për qind të kohës.
Tifozët sidoqoftë duan një sulmues që të shënojë 10 gola në një sezon të Premier Ligës, e ndoshta Broja mund të jetë zgjidhja e brendshme, pa pasur nevojë për përforcime në janar.
Blutë liverpulas mbeten të rrezikuar pasi janë shumë pranë zonës që të zbret nga kategoria.
Sa I përket lojtarit tonë, rëndësi ka që ai po shkon me qejf në stërvitje, po ndihet sikur të jetë në shtëpinë e tij, dhe kjo është më e rëndësishmja.
Gjithkush e di mirë, përfshi edhe atë vetë, se çfarë është në gjendje që të bëjë, dhe jo më kot është cilësuar jo vetëm një shpresë e kombëtares shqiptare, por edhe një lojtar I veçantë I Premier Ligës, kampionatit më të fortë të botës.
Ndoshta ka ardhur koha që të kthehet sërish Broja I dikurshëm, ndonëse Armando duhet të mbajë mend gjithmonë fjalët e trajnerit të tij tek Çelsi, Tomas Tuhel, që e ftoi të ishte më I qeshur, më I komunikueshëm me shokët, dhe të flasë më shumë me gjuhën e trupit.
Njëzetetrevjeçari besohet se e ka kuptuar se mund t’ia dalë vetëm nëse do të jetë në versionin e tij pozitiv.
Jo më kot futbolli është lojë kolektive, dhe kjo vlen edhe kur talenti është aq I madh saqë verbon ata që e shohin, dhe jo rrallë edhe atë që e ka. /abcnews.al