Gabriel Barbosa mori kritika të shumta gjatë aventurës së shkurtër tek Inter. Huazimi te Flamengo në janar të këtij viti i ka bërë shumë mirë dhe e ka rikthyer në një makineri golash. Dy realizimet në minutat e fundit të finales kundër River Plate i dhuruan trofeun e Kupës Libertadores ekipit nga Rio De Janeiro.
23-vjeçari ndihet për mrekulli dhe është rritur shumë. Në prononcimin e dhënë për A Bola, Gabigol ndalet edhe te Jorge Jesus, trajneri i Flamengos. 65-vjeçari portugez drejtoi ekipin brazilian drejt triumfit në Libertadores dhe kampionat, teksa sulmuesi nuk i kursen elozhet për të.
“Nuk pendohem për zgjedhjet që kam bërë. I kam marr vendimet në bashkëpunim me familjen time. E kam shprehur edhe më parë, disa gjëra në vitet e fundit nuk kanë shkuar ashtu siç kam dashur. Nuk u dorëzova kurrë, e dija që do të vinte kthesa. Trajneri ka pasur shumë besim tek unë. Ma bëri të qartë se beson te potenciali im.
Bisedojmë shpesh së bashku dhe diçka e tillë ka qenë thelbësore për rritjen time dhe të gjithë lojtarëve. Kam punuar me shumë trajnerë, të cilët më kanë ndihmuar të rritem si futbollist dhe si njeri. Tani jam një tjetër lojtar në aspektin teknik, taktik dhe fizik. Jesus më ka dhuruar një vizion ndryshe nga të tjerët. I jam shumë mirënjohës, më ka ndryshuar jetën“, përfundon sulmuesi brazilian. /abcnews.al