Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është rikthyer të flasë se si ai u rikthyer sërish tek kuqezinjtë. Në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s, suedezi tregon motivet e tij që iu bashkua sërish “Djallit” si dhe tregon më shumë për planet e së ardhmes.
RIKTHIMI NË MILANO – “Pyetja e parë që ata më bënë kur u ktheva në Milano kishte të bënte me të gjithë ish-lojtarët që ishin kthyer dhe nuk kishin performuar sipas pritshmërive, duke mos përsëritur atë që bënë në përvojën e tyre të parë në Milano. Cili është ndryshimi në rastin tim? Unë thjesht nuk e kam humbur kurrë pasionin tim për atë që bëj. Sa herë që dal në fushë ndihem si një fëmijë që ha për herë të parë një karamele.
Unë e kuptoj që topi është shoku im më i mirë dhe dua të jem me shokun tim më të mirë për pjesën tjetër të jetës sime. Jeta ka të bëjë me sfidat. Ndjeva se kisha bërë sa duhet dhe fillova të mendoj nëse do të vazhdoj apo jo. Për mua ishte një sfidë e madhe të kthehesha këtu për të provuar të ndryshoja mentalitetin, për të ndryshuar situatën dhe për t’i përcjellë ekipit se çfarë ishte Milani. Milani që unë njoh, Milani që e njeh e gjithë bota ”.

PRESIONI NDAJ SHOKËVE TË SKUADRËS – “Kur luaj unë tregoj karakterin tim, personalitetin tim dhe padyshim cilësitë e mia në fushë. Unë u bëj shumë presion shokëve të mi të skuadrës, përpiqem të përfitoj sa më shumë nga secili prej tyre. Disa e marrin mirë, të tjerët pak më pak, të tjerët fare. Mënyra se si stërvitesh është mënyra se si luan.
Pavarësisht nëse jeni veteran apo i ri, unë ju ushtroj të njëjtin presion sepse nëse jeni këtu ka një arsye, ju jeni këtu sepse jeni një lojtar i mirë.Por jashtë fushës, nëse jeni i ri padyshim që unë flas me ju ndryshe, ju trajtoj ndryshe, sjellja nuk është e njëjtë në krahasim me ato që janë më të mëdhenj në moshë. Por në fushë ata janë të gjithë njësoj për mua. ”

E ARDHMJA DHE RINOVIMI – “Unë kurrë nuk jam i kënaqur, gjithmonë dua më shumë dhe ndoshta kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot dhe jam në gjendje të luaj dhe të bëj atë që po bëj. Unë nuk shoh shumë lojtarë, në të kaluarën apo dhe në të tashmen, që të jenë të aftë të bëjnë të njëjtën gjë që po bëj unë. Premtoj se do të luaj për aq kohë sa mundem. Për sa kohë që jam në gjendje do të luaj në një nivel të lartë. Unë kam nevojë të ndihem i gjallë, të ndiej se po jap diçka për ekipin”, përfundon Ibrahimovic. /abcnews.al

