Massimiliano Allegri u rikthye në arenën e madhe të futbollit pas dy vitesh, duke firmosur me Juventusin dhe bashkë me rikthimin, vijnë edhe telashet. Nga Italia gazeta “La Verita” bën me dije se trajneri dyshohet për pjesëmarrje në pastrim parash dhe përfshirje në baste sportive.
Hetimet janë në proces dhe pretendohet të kenë të bëjnë veçanërisht me disa transaksione të bëra në llogarinë rrjedhëse të Allegrit, nga një kompani malteze e akuzuar për mashtrim të rëndë, evazion fiskal dhe lidhje me ‘Ndragheta-n’.
Në tërësi bëhet fjalë për plot 7 transferta të marra nga trajneri në periudhën 2018-2021, me vlerë totale prej 161 mijë eurosh, të cilave u shtohen edhe 168 mijë euro të ardhura nga një kompani sllovene që menaxhon hotele e kazino, si dhe një 140 mijë euro nga një bankë private në Monte Carlo.
Këto të ardhura mund të jenë fitime ligjore të trajnerit, megjithatë përsëritja e disa shumave të njëjta hedh dyshime për një skemë të pastrimit të parave. Nga karta e kreditit e Allegrit janë shpenzuar edhe rreth 500 mijë euro në kompani lojërash fati, kryesisht në një kazino në Monte Carlo dhe një tjetër në Slloveni.
Kur ka shifra të tilla sinjalizimet janë të zakonshme, megjithatë hetimi pritet të hedhë dritë mbi rastin në fjalë. Gjithsesi e përditshmja italiane nënvizon se në bazë të dokumenteve që disponon evidentohet lidhja e Allegrit me lojërat e fatit, por jo ajo me bastet sportive, diçka e ndaluar për profesionistët e futbollit. /abcnews.al