Arbi Laçi vijon të analizojë ecurinë e Tiranës këtë kampionat në emisionin “Pressing” në ABC News. Drejtori sportiv i bardhebluve vendos edhe një notë ngelëse për pjesën e dytë të ekipit në ndeshjen e fundit përballë Teutës.
“E dimë se ku janë problemet dhe ku duhet punuar. Kemi kërkuam një mbrojtës, por duhet të hiqnim një lojtar të huaj sepse 4 lejohen, edhe tregu nuk afron alternativa. Në gjithë shumatoren e kampionatit kemi pasur probleme në defensivë.
Është problem tregu, nuk prodhohet poshtë. Rikthimi i Muçës ka kthyer stabilitet në shumë komponentë. Vangjeli dhe Osmani janë aty. Skuadra ka forcë për të shënuar. Nota 4 në pjesën e dytë për skuadrën, prodhuam shumë por nuk shënuam.
Egbo? Kjo skuadër nisi të ndërtohej që vjet. Vjet nuk e thamë që duam titullin, për asnjë moment. Këtë vit kishim objektiv madhor. E nisëm mirë, pastaj u prish harmonia, u ndërrua trajneri. Egbo ishte pjesë e jona, është njeri me autoritet, serioz, korrekt dhe kjo është transmetuar menjëherë te skuadra.
Derbi na theu disa barriera psikologjike dhe përdorëm entuziazmin me seriozitet dhe qëndrim afër të skuadrës. Faza përgatitore shkoi në mënyrë perfekte. Gjërat janë kompozuar mirë. Jam falënderues ndaj Egbosë. Nuk jam tifoz i trajnerëve të huaj, por ai është një i huaj i shqiptarizuar dhe ka elementët e duhura për të na ndihmuar“, thekson Laçi. /abcnews.al