Gabriel Gravina ka folur hapur rreth kohës se kur mund të rifillojë Serie A. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), konfirmon për RaiRadio1 se muaji qershor do i gjejë skuadrat në fushën e blertë, teksa akuzon ashpër ata që janë pro anulimit të këtij sezoni.
“Ne kemi hartuar një protokoll shëndetësor të rreptë, të kujdesshëm, por fleksibël. Do ia dorëzojmë nesër ministrave Spadafora dhe Speranza. Do të duhen tre javë siguri, gjithmonë nëse skuadra rinisin stërvitjen në datë 4 maj, kështu që në fund të majit ose fillim të qershorit, mund të fillojë kampionati.
Do të ketë një periudhë kontrolli për të siguruar negativitetin e të gjithë atyre që marrin pjesë në aktivitet. Nëse të gjithë janë negativë, nuk ka asnjë problem të distancimit ose të ngjitjes së virusit. Uroj që të gjithë të luajnë në stadiumet e tyre, do të gjejmë zgjidhje alternative nëse nuk është e mundur.
Është një moment kompleks për vendin tonë, për ekonominë dhe për futbollin, që është një nga industritë më të rëndësishme të Italisë. Ata që bëjnë thirrje sot për anulimin e sezonit, nuk ia duan të mirën futbollit dhe italianëve, duke hequr shpresën e së ardhmes”, deklaron Gravina. /abcnews.al