Mauricio Sarri dhe tifozët e Juventusit mund të qëndrojnë të qetë. Giorgio Chiellini ka lënë pas krahëve dëmtimin e pësuar në javën e parë kundër Parmës.
Kapiteni mbetet shpirti dhe “luftëtari” numër një i skuadrës, rikuperimi i tij ka shkuar mbarë dhe rikthimi në fushat e blerta është afër. 35-vjeçari ka dhënë lajmin e mirë me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Më në fund rikthimi në fushë“, shkruan mbrojtësi i bardhezinjve, teksa poston edhe një video ku dallohet duke vrapuar dhe kryer disa ushtrime aerobike. Kontakti me topin nuk ka ndodhur akoma, por gjithçka është në rrugën e duhur dhe rikthimi i tij i forcon akoma edhe më shumë kampionët e Italisë. /abcnews.al