Rikthehet Champions League, njihuni me sfidat e mbrëmjes

schedule08:46 - 1 Tetor, 2019

schedule 08:46 - 1 Tetor, 2019

Champions League rikthehet për ndeshjet e dyta të grupeve dhe mbrëmja e sotme ofron duele tepër interesante. Real Madrid-Club Brugge dhe Atalanta-Shakhtar janë dy sfidat që do të zhvillohen në orën 18:55.

Ekipi i Zidane vjen pas humbjes 3-0 në Francë përballë PSG, ndërsa belgët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola kundër Galatasaray në shtëpi. Reali do të tentojë fitoren e parë evropiane për këtë sezon dhe nuk pritet të hasë shumë probleme.

Ndeshje e bukur pritet të jetë dueli i San Siros. Atalanta vjen në formë të mirë dhe do kërkojë triumfin përballë një ekipi ekspert si Shakhtari. Bergamaskët vijnë pas humbjes 4-0 në Zagreb përballë Dinamos dhe do të tentojnë fitoren e parë në histori në Champions League. Pikë kërkojnë edhe ukrainasit, të cilët e nisën me humbje në shtëpi përballë Manchester City të Guardiolës.

Tottenham-Bayern Munich parashikohet si dueli më i bukur i ndeshjeve të orës 21:00. Dy ekipet nuk pritet të hasin probleme për t’u kualifikuar, teksa sonte do të jetë një përballje për të treguar se kush do të dominojë grupin B.

Këto dy ekipe nuk janë ndeshur kurrë më parë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Ndeshje e fortë do të jetë edhe ajo e Beogradit. Crvena Zvezda do të presë grekët e Olympiacos, që ndalën në barazim 2-2 finalistët e Tottenham ndeshjen e parë.

City i Guardiolës do të tentojë fitoren e dytë rresht përballë Dinamo Zagreb. “Qytetarët” kanë objektiva të mëdha në Champions dhe përballë kroatëve nuk priten surpriza. Galatasaray-PSG është një tjetër sfidë interesante, aty ku Radamel Falcao me shokë do të bëjnë maksimumin për t’iu dhuruar një mbrëmje emocionuese tifozëve të zjarrtë turq.

Ndeshje e komplikuar dhe deçizive edhe për Atletiko Madrid. Djemtë e Simeones do të përballen në Moskë me Lokomotivën vendase, që befasoi me fitoren në Gjermani përballë Leverkusen në ndeshjen e parë.

Në fund Juventusi i Sarrit. Bardhezinjtë presin Bayer Leverkusen në Torino. Trajneri ka bërë thirrje për përqendrim dhe kujdes, pasi gjermanët i cilëson ekip të rrezikshëm. Ronaldo me shokë janë ndër favoritët kryesorë për triumfin final dhe sot do të tentojnë fitoren, për të hedhur një hap drejt kualifikimit dhe për të shkuar me moral të lartë në duelin e fundjavës kundër Interit në kampionat. /abcnews.al

Ora 18:55
Atalanta – Shakhtar Donetsk
Real Madrid – Club Brugge KV
Ora 21:00
Crvena Zvezda – Olympiacos Piraeus
Galatasaray – Paris SG
Juventus – Bayer Leverkusen
Lokomotiv Moscow – Atl. Madrid
Manchester City – D. Zagreb
Tottenham – Bayern Munich

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!