Këngëtarja e njohur kanadeze Céline Dion ka njoftuar rikthimin e saj në skenë, katër vite pasi u diagnostikua me sëmundjen e rrallë neurologjike Stiff Person Syndrome. Artistja, e famshme për baladat e fuqishme si My Heart Will Go On dhe Because You Loved Me, do të mbajë një seri prej 10 koncertesh në Paris La Défense Arena, një arenë me kapacitet 40 mijë spektatorë, gjatë muajve shtator dhe tetor.
Njoftimi për rikthimin e saj u bë në ditën e 58-vjetorit të lindjes së këngëtares. Në një mesazh në rrjetet sociale, Dion e quajti këtë rikthim “dhurata më te bukur te jetës se saj”. Ajo u shpreh optimiste për rikthimin: “Jam shumë gati për këtë. Ndihem mirë, e fortë dhe e emocionuar, edhe pse pak nervoze”.
Dion, një nga artistet më të suksesshme në historinë e muzikës, nuk ka performuar live që nga 8 marsi I vitit 2020 ne Shtetet e Bashkuara . Turneu i saj “Courage” u ndërpre fillimisht për shkak të pandemisë COVID-19 dhe më pas u anulua për shkak të problemeve shëndetësore. Biletat për koncertet do të dalin në shitje më 7 prill, ndërsa fansat mund të regjistrohen paraprakisht në faqen e saj zyrtare që nga 31 marsi.
Shenjat e rikthimit nisën të shfaqen që javën e kaluar, kur media franceze raportoi për planet e artistes, ndërsa në Paris u vendosën postera me tekstet e këngëve të saj. Mbrëmjen e së hënës, Eiffel Tower u ndriçua me mesazhin “Paris, je suis prêt” (“Paris, jam gati”), ndërsa në sfond u dëgjuan këngë te artistes si si I’m Alive. Stiff Person Syndrome është një sëmundje e rrallë neurologjike që shkakton spazma muskulore dhe vështirësi në lëvizje, duke prekur rreth 8 mijë persona në mbarë botën. Nuk ekziston ende një kurë për këtë gjendje.
Këngëtarja e bëri publik diagnozën në dhjetor 2022, duke treguar se sëmundja kishte ndikuar në çdo aspekt të jetës së saj të përditshme. Ajo ka rrëfyer se simptomat e para i kishte ndjerë gjatë turneve, kur zëri i saj filloi të dobësohej dhe të përjetonte spazma.
Megjithatë, Dion nuk hoqi dorë. Në një intervistë të mëvonshme, ajo tregoi se i ishte përkushtuar një programi intensiv rehabilitimi, duke u trajnuar pesë ditë në javë me terapi fizike dhe vokale. Përpjekjet e saj dhanë rezultat në vitin 2024, kur ajo bëri një rikthim emocional gjatë ceremonisë së Paris 2024 Olympics, duke interpretuar këngën klasike Hymne à l’Amour nga maja e Kullës Eiffel. Ky moment shënoi rikthimin e saj simbolik në skenë – një rikthim që tashmë do të konkretizohet me koncertet e shumëpritura në Paris./abcnews.al


