Rikthehen “mysafirët” e veçantë/ Çifti lejlekëve shtegton nga Afrika në Gjirokastër

schedule11:08 - 1 Prill, 2024

schedule 11:08 - 1 Prill, 2024

Edhe këtë pranverë në luginën e Drinosit në Gjirokastër janë rikthyer shpendët shtegtarë nga vendet e ngrohta të Afrikës.

Çiftet e lejlekut të bardhë kanë folenizuar në luginë duke i sjellë gjithashtu edhe peizazhit natyror një bukuri të veçantë.

Lugina e Drinos ka qenë mikpritëse e lejlekut dhe shpendëve të tjerë shtegtarë, por vitet e fundit është ulur ndjeshëm numri i tyre.

“Si rezultat i ndryshimeve që ndodhën ne ekosisteme si rezultat i zhvillimit të një bujqësie intesive, rritja e përdorimit të plehrave dhe pesticideve ne fushën e bujqësisë, ndërhyrja dhe punimi masiv i tokave në këtë periudhë bëri që një pjesë e mirë e ekosistemeve të ndryshojnë”, u shpreh Vladimir Hasani, pedagog i biologjisë.

Rikthimi i shpendëve shtegtarë në Luginën e Drinos është një mundësi e mirë për ripërtëritjen e ekosistemit dhe diversitetit natyror të kësaj zone.

“Këta lejlekë kthehen në habitatet e hershme duke folenizuar këtu por pavarësisht se në fillimet që janë ata janë në masë të vogël, tre fole në gjithë Luginën e Drinosit, gjithsesi ata prodhojnë 2-4 vezë por jo të gjitha arrijnë ti nxjerrin kështu që sasia e popullatave të lejlekëve është në vendin tonë akoma numërohen me gishta dhe nuk kemi një kthim masiv të këtij shpendi në rajonin e Gjirokastrës dhe të gjithë vendit”, tha më tej Hasani.

Rikthimi i këtyre shpendëve shton vlerat natyrore të zonës së Gjirokastrës, duke pasuruar në këtë mënyrë edhe guidat turistike.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!