Tradita e karnavaleve është rikthyer mbrëmjen e djeshme, duke sjellë atmosferë festive në rrugët e qytetit të Beratit. Ishin nxënës të shkollave 9-vjeçare por edhe fëmijë të kopshteve që rikthyen traditën e munguar këtij qyteti.
Kanë qenë pikërisht fëmijët e kopshteve dhe shkollave 9-vjeçare të qytetit,të cilët nën maskat e personazheve më të dashura dhuruan një shfaqje të vërtetë që zgjati për disa orë në pedonalen e qytetit.
Nën rolin e personazheve të botës së tyre,fëmijët beratas ofruan pjesë të ndryshme artistike, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme për bashkëmoshatarët dhe të rriturit. Ngjyrat, muzika, kostumet dhe personazhet e botës së fëmijëve, të vendosura mbi kalldrëmet ku ka ecur për mijëra vjet historia e qytetit të lashtë, Beratit, krijuan një atmosferë mjaft festive.
Aktiviteti ishte pjesë e kalendarit të bashkisë së Beratit, për të gjallëruar jetën kulturore dhe artistike në qytetin muze, të mbrojtur nga UNESCO. Përfaqësuesja e bashkisë Berat, Arisa Toska, ka theksuar se, tradita e munguar e karnavaleve në qytetin e Beratit do të kthehet tashmë në një festë të përvitshme. Sipas saj, kjo festë pagane u jep mundësinë fëmijëve që, nëpërmjet kostumeve e maskave të përcjellin tek çdokush mesazhet më të bukura të karnavaleve. /abcnews.al