Gara Ndërkombëtare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës u hap në 19 dhjetor të vitit të kaluar por për shkak të situatës së krijuar nga pandemia procesi u ngri. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku bëri me dije rihapjen e garës ndërsa ofertat do të priten deri në 23 dhjetor.
Në këtë aeroport parashikohet të operojnë kompani që do të ofrojë fluturime Ultra Low Cost duke nxitur në këtë mënyrë ardhjen e turistëve të huaj në jug. Nga ky aeroport pritet të udhëtojë një fluks prej rreth 600 mijë pasagjerë në vit.
“Nga 23 nëntori të hapin garën ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës që do të qendrojë hapur për 30 ditë, pra deri në 23 dhjetor. Më pas do të marrim kohën e duhur për të vlerësuar ofertat. Në mes të janarit ne, stafet tona do të kenë mundësi që të nxjerrin një fitues”, deklaroi Balluku.
Vlera e investimit në këtë aeroport parashikohet të arrijë në 87 milion euro dhe do të ndërtohet në bazë të Partneritetit Publik-Privat.
Sipas formulës së tenderit do të investohen nga kompania që do ta ndërtojë dhe më pas do të realizojë të ardhura nga operimi I pistës, ndërsa buxheti i shtetit do të garantojë të ardhurat e saj për 10 vite nëse do të jenë më të ulëta se 140 milion euro. Pista pritet të ndërtohet në Akërnisë të Vlorës, 10 minuta larg aksit kombëtar Fier- Vlorë.