Richarlison hedh poshtë akuzat: Nuk isha unë shkaktari që Conte u largua

schedule17:06 - 31 Mars, 2023

schedule 17:06 - 31 Mars, 2023

Pas largimit pak a shumë të paralajmëruar të teknikut italian, Antonio Conte nga stoli i Tottenham, në media filluan menjëherë aludimet se shkaktarët kryesorë të “divorcit” të parakohshëm të italianit 53-vjeçarit me klubin londinez ishin sulmuesi brazilian Richarlison dhe mbrojtësi argjentinas, Christian Romero.

Për të shuar të gjithë “zërat” në media, Richarlison, me anë të një postimi në rrjetet sociale, mohoi të kishte krijuar një “rebelim” ndaj teknikut Conte, ndërsa kujtojmë se marrëdhënia mes këtyre të dyve nuk ishte dhe aq e paqtë, me teknikun italian që kohët e fundit e akuzonte gjithnjë e më shumë brazilianin për egoizmin që shfaqte në fushën e blertë.

“Të më kritikosh mua si lojtar për paraqitjet e mia është pjesë e futbollit dhe e kuptoj, por nuk mund të pranoj që të thuhen gënjeshtra për mua. Gjithmonë kam pasur shumë respekt për Conten dhe për të gjithë trajnerët që kam pasur. Ai më ndihmoi shumë kur mbërrita në Tottenham dhe edhe kur kemi pasur një problem e kemi zgjidhur duke folur në mënyrë profesionale”,- shpjegoi Richarlison në rrjetet e tij sociale.

Mirëpo, nuk përfundon me kaq. Braziliani, i cili ende nuk ka shënuar në Premier League këtë sezon me fanellën e Tottenham, u akuzua për një trazirë për të rrëzuar italianin, i cili u nda përfundimisht me klubin me pëlqim reciprok në fillim të kësaj jave.

“Unë nuk drejtova një rebelim kundër tij, përkundrazi. Më vjen keq që nuk kam bërë mjaftueshëm që ai të qëndrojë. Pasi u largua, i dërgova një mesazh duke e falënderuar për gjithçka që ka bërë dhe i uroj më të mirat, sepse është ajo që meriton. Nga ana tjetër, gazetari përgjegjës për këtë gënjeshtër nuk bëri as gjestin më të vogël për të folur me ekipin tim apo për të më dëgjuar. Ai është një profesionist i keq”,- tha më tej Richarlison në fjalën e tij. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!