Rezultoi pozitiv me kokainë, përjashtohet përjetë peshëngritësi fierak

schedule16:15 - 25 Mars, 2021

schedule 16:15 - 25 Mars, 2021

Arbër Çerçizi është përjashtuar për gjithë jetën nga sporti i peshëngritjes. FSHP (Federata Shqiptare e Peshëngritjes) ka marrë vendimin drastik në lidhje me sportistin fierak, për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike.

Peshëngritësi ka rezultuar pozitiv me kokainë nga kontrolli i antidopingut i FSHP-së. Komiteti Ekzekutiv i FSHP-së vendosi: përjashtimin e Çerçizit përgjithmonë nga sporti i peshëngritjes, teksa trajneri i klubit Apollonia detyrohet të mos ushtrojë profesionin e trajnerit për 5 vitet e ardhshme.

VENDIMI I MARRË NGA KOMITETI EKZEKUTIV I FSHP-së

Federata Shqiptare e Peshëngritjes gjatë zhvillimit të Kampionatit Kombëtar për të rritur, të zhvilluar në datë 20-21 shkurt 2021 në qytetin e Durrësit, duke pasur në moton e saj luftën e pandërprerë ndaj fenomenit të dopingut i kërkoi OKAD në Shqipëri kontrollin antidoping për të gjithë sportistët pjesëmarrës në këtë kampionat.

Mbas marrjes së mostrave me datë 22.03.2021 vjen përgjigja nga OKAD, sipas testit No LC 1001/21, ku ka rezultuar pozitiv me substancë kokainë, sportisti Arbër Çerçizi. Të gjithë sportistët pjesëmarrës në Kampionatin Kombëtar dolën negativë, përjashtim bën sportisti i Klub Sport Apollonia, Arbër Çerçizi, i cili doli pozitiv me substancën kokainë.

Në këtë situatë, ku Federata po lufton për sport të pastër, mbasi është goditur nga ky fenomen dhe ky sportist është përsëritës, mblodhi Komitetin Ekzekutiv në mënyrë urgjente sot me datën 25.03.2021 dhe vendosi masat ekstreme: Përjashtimin e sportistit Arbër Çerçizi përgjithmonë nga sporti i peshëngritjes, si dhe trajnerit të klubit sportiv Apollonia për një periudhë 5-vjeçare të mos ushtrojë profesionin e trajnerit. Për çdo sportist qoftë ai dhe medalist që do dali pozitiv nga kontrolli i kërkuar nga federata do të ketë të njëjtën mase (përjashtim nga sporti)“. /abcnews.al