Rezultatet e provimit, Shahini: Mbi 10 mijë maturantë e kanë gjetur çfarë do bënte Turi

schedule17:39 - 19 Qershor, 2020

schedule 17:39 - 19 Qershor, 2020

Ministrja e Arsimit Besa Shahini është takuar me përfaqësues të parlamentit të nxënësve për të diskutuar mbi shqetësimit lidhur me provimin e gjuhës dhe letërsisë të cilët sipas saj janë distancuar nga protesta e maturantëve.

Ajo thotë se i ka informuar ata për rezultatet e pyetjeve si ajo me Turin që u përfol edhe në rrjet, ku ka rezultuar se ,mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë.

Ajo përsërit edhe njëherë deklaratën për rishpërndarjen e pikëve, nëse testi rezulton se ka pasur vështirësi

“Sapo mbyllëm takimin me përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve mbi temën e nxehtë të provimit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë. Ata më përcollën në detaje gjithë shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu më shprehen keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.

Përfaqësuesit i informova për rezultatet paraprake të pyetjeve tashmë të shumë-përfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, që tregonin se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta.

Njëkohësisht, i sigurova edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve.

Gjithsesi, pjesa më e vlefshme e bisedës tonë ishte kërkesa nga Parlamenti i Nxënësve që mësuesit të përqendrohen akoma më shumë në aftësimin e tyre për njohuri aplikative. Në këtë kuadër, unë u premtova se edhe QSHA do të punojë më fort në përgatitjen e nxënësve për provimet e maturës së vitit të ardhshëm duke botuar më shumë burime përgatitore”, shkruan Besa Shahini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!