Drejtuesit e Manchester United janë të kënaqur me punën e Erik ten Hag, edhe pse ky sezon nuk ka nisur shumë mirë.
“Djajtë e Kuq” renditen pas javës së gjashtë në vendin e nëntë në Premier League me 9 pikë të grumbulluara. Tri fitore dhe po kaq humbje për United, që dështoi edhe në sfidën e parë të fazës së grupeve në Champions kundër Bayern Munchen.
Gjithsesi, optimizmi në kampin e kuq është i madh dhe besimi kundrejt teknikut holandez i palëkundur. Dhe drejtuesit po përgatitin rinovimin me Ten Hag, të cilin duan të mbajnë gjatë në “Old Trafford”.
53-vjeçari ka kontratë deri në 2025, por tek United duan ta zgjatin më shumë bashkëpunimin me të.
Një vendim që konfirmon pozitat e palëkundura të trajnerit, por edhe një mesazh i qartë për lojtarët, të cilët duhet të shtojnë një marsh më shumë dhe të nisin një seri fitoresh, ashtu si presin edhe tifozët e shumtë të skuadrës së njohur./ h.ll/abcnews.al