Rezoluta për krimet serbe, Shehu: Kuvendi ka shkelur rregulloren, Alibeaj të mos heshtë

schedule17:22 - 6 Qershor, 2022

schedule 17:22 - 6 Qershor, 2022

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka kërkuar në seancën e sotme të Kuvend që të shikohet kërkesa e depozituar nga grupimi i tyre për rezolutën ndaj krimeve serbe në Kosovë.

Shehu tha se Kuvendi ka shkelur rregulloren, madje as nuk është mbledhur Konferenca e Kryetarëve. Deputeti tha gjithashtu se një kërkesë e ngjashme është depozituar edhe nga Enkelejd Alibeaj dhe i kërkoi që të mos heshtë.

“Akoma nuk ka asnjë përgjigje nga ju dhe nuk është bërë as mbledhja e konferencës së kryetarëve. Mbi të gjitha në një parlament është rregullorja. Pra kemi një shkelje shumë të rëndë që lidhet padyshim me elementë të tjerë politikë. Kërkoj që sonte të mblidhni konferencën e kryetarëve dhe të vendoste çfarë do të bëhet me rezolutën për gjenocidin serb.

Një kërkesë të ngjashme e ka paraqitur edhe zoti Alibeaj. Nuk ka asgjë të keqe. Sa më shumë të kërkojmë aq më mirë është. Por u kërkoj të gjithë atyre edhe zotit Alibeaj të ngrejë edhe ai zërin për një shkelje kaq të rëndë të rregullores. Ju takon ju zonja nën kryetare të merrni masa. Është një shkelje shumë e rëndë nga ju dhe nga ata që heshtin”, tha Shehu.

Sakaq, nënkryetarja Ermonela Felaj iu përgjigj deputetit të PD duke sqaruar se mbledhja e Konferencës së Kryetarëve thirret nga kryetarja e Kuvendit dhe kjo e fundit ndodhet në një vizitë jashtë vendit. g.v/abcnews.al