Revolucion tek Interi, ditëlindja e radhës festohet me emër dhe logo të re

schedule10:58 - 18 Janar, 2021

schedule 10:58 - 18 Janar, 2021

Interi triumfoi 2-0 ndaj Juventusit në “San Siro” mbrëmjen e kaluar, duke mposhtur një nga rivalët direktë për fitimin e titullit kampion në Itali. Zikaltrit kanë barazuar me pikë Milanin e vendit të parë (40), por kuqezinjtë zbresin sot në fushë përballë Cagliarit në transfertë.

Momenti fantastik për popullin interist, teksa drejtuesit kanë vendosur të bëjnë një ndryshim të madh sipas raportimeve të GDS. Klubi i njohur italian do të ndërrojë emrin në muajin mars. Sot quhet “Football Club Internazionale Milano”, ndërsa emri i ri do të jetë Inter Milano.

Një risi rreth së cilës po punojnë prej muajsh tek Interi dhe një lidhje më e madhe me qytetin e modës. Logo e re do të jetë me elegante, asaj do t’i shtohen simbolet IM dhe një epokë e re pritet të fillojë. Situata financiare është e keqe dhe pronarët kinezë mund ta shesin klubin.

Ndryshimi i emrit shihet edhe si një mundësi për të thithur investitorë të rinj. Sponsori kryesor i klubit nuk do të jetë më Pirelli, teksa po punohet për ndërtimin e stadiumit të ri. Interi feston 113-vjetorin e lindjes në 9 mars, që do të jetë ditëlindja e fundit me emrin e “vjetër”. /abcnews.al