Revolucion te Milan, Ibra shpalos listën me pretendentët për kreun e stolit “Kuqezi”

schedule22:56 - 20 Prill, 2024

schedule 22:56 - 20 Prill, 2024

Me italianin Stefano Pioli që ka mbyllur tashmë eksperiencën e tij në pankinën e Milan dhe pret vetëm fundin e sezonit për t’u larguar, “Kuqezinjtë” kanë nisur të mendojnë për trajnerin e ardhshëm, teksa sipas raportimeve më të fundit të mediave, pranë klubit bëjnë me dije se me këtë çështje po merret ekskluzivisht ish-“bomberi” suedez, Zlatan Ibrahimovic, i cili ëndrrën e madhe ka të sjellë në stolin e Milan teknikun e mirënjohur italian Antonio Conte.

Ibrahimovic është takuar disa herë me këtë të fundit, por problem krahas konkurrencës me “Blutë” e Napoli, mbetet fakti që Conte kërkon garanci të shumta financiare, për të investuar në merkaton e verës dhe ndërtuar një skuadër konkurruese. Pikërisht kjo është edhe pika që step “Djajtë”, të cilët natyrisht që nuk mund të investojnë aq sa Conte do të donte për të ndërtuar menjëherë një Milan fitues, gati të konkurrojë për objektiva madhorë.

Emra të tjerë që Ibra preferon janë Marc Van Bommel dhe Roberto De Zerbi. Të dy kanë një të kaluar si futbollistë te Milan dhe njohin mirë ambientin, teksa holandezi drejton aktualisht belgët e Royal Antwerp, ndërsa De Zerbi anglezët e Brighton. Van Bommel duket një opsion i mundshëm, por edhe një bast i fortë për suedezin, ndërsa De Zerbi rrezikon të mbetet vetëm një dëshirë, pasi ndaj tij kanë hedhur sytë klube me buxhete shumë më të mëdha si Bayern Munich e Barcelona.

Krahas tyre, më poshtë në hierarki, në listën e Ibrahomivc janë edhe emra si Gallardo, Galtier, Sergio Conceicao, Fonseca apo Julen Lopetegiu, teksa vendimi pritet të merret para Evropianit, në mënyrë që me trajnerin e ri të planifikohet edhe merkatoja e verës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!