Greqia dhe Kroacia vazhdojnë të tërheqin turma të mëdha vizitorësh, ndërsa turizmi në Shqipëri po rritet me një ritëm aq të shpejtë sa ndryshimi ndihet nga një verë në tjetrën, shkruan Vincent Mabire në revistën franceze të udhëtimit “Ulysse News”.
I njëjti diell, i njëjti det, por përvoja që do të përjetoni në terren nuk do të ndihet aspak njësoj!
Nëse keni udhëtuar së fundmi në Mesdhe, me shumë gjasa keni vënë re se – të njëjtat gjire dhe qytete të vjetra mbushen për muaj të tërë. Greqia dhe Kroacia kanë jetuar me këtë realitet prej vitesh.
Shqipëria është destinacioni më i ri evropian – që po fiton njohje ndërkombëtare me shpejtësi.
Për një udhëtim në vitin 2026, qëllimi nuk është të shmangësh turmat e turistëve, por të planifikosh pushime me një buxhet ekonomik – ku ditët rrjedhin pa stres dhe plazhet nuk janë të mbipopulluara.
Shqipëria: destinacioni i ri që po ndryshon shpejt
Rritja e popullaritetit të Shqipërisë është e vështirë të mos vihet re. Në vitin 2025, vendi priti mbi 12 milionë vizitorë, ku shumë turistë u tërhoqën nga bregdeti, ndërsa shumë të tjerë eksploruan zonat malore.
Dallimi kyç, krahasuar me Greqinë dhe Kroacinë, është shpejtësia e zhvillimit, që mund të ndryshojë shpejt çmimet dhe atmosferën e disa qyteteve bregdetare.
Shqipëria ka shprehur synimin për të tërhequr turizëm me shpenzime më të larta, përfshirë më shumë hotele luksoze rreth Sarandës dhe zgjerim të aksesit ajror, me një aeroport të ri të planifikuar në zonën e Vlorës për të përmirësuar lidhjen me jugun.
Për turistët, akses më i mirë do të thotë udhëtime më të lehta, por zhvillimi i shpejtë i Shqipërisë mund të nënkuptojë edhe zona ndërtimi në vendet që, papritur janë bërë shumë të kërkuara.
Çfarë nënkupton “vrulli” i Shqipërisë?
- Nëse motivimi juaj kryesor janë çmimet e ulëta, nxitoni pasi pikat e nxehta bregdetare mund të vazhdojnë të shtrenjtohen.
- Nëse kërkoni një përvoje të veçantë, kombinoni bregdetin me disa ditë në zonat malore, për më shumë balancë dhe ritëm të qetë.
Greqia, Kroacia apo Shqipëria, cili është vendi më i mirë për të udhëtuar në 2026?
Të tre vendet ofrojnë një udhëtim të shkëlqyer. Nëse kërkoni shumëllojshmëri maksimale dhe logjistikë të konsoliduar, Greqia është e vështirë të mposhtet.
Nëse dëshironi një vijë bregdetare me infrastrukturë të fortë, Kroacia mund të jetë zgjedhja e shkëlqyer.
Nëse jeni në kërkim të një destinacioni që ende ndihet sikur po “hapet ndaj botës”, Shqipëria mund të jetë një zgjedhje shumë e mirë – ndërsa ndryshimi në destinacionin e ri turistik po ndodh me ritëm të shpejtë.


