Restoranti me 70 foto të Melonit/ Pranë qendrës së emigrantëve në Shëngjin, italianët: Mbresëlënës

schedule18:20 - 16 Tetor, 2024

schedule 18:20 - 16 Tetor, 2024

Një restorant i ri me temë: Giorgia Meloni. Ky është ambienti i ri i dekoruar me piktura të shumta të kryeministres italiane ndodhet në Shëngjin.

Restoranti, i cili u hap në gusht, përmban në total 70 portrete të Melonit dhe ndodhet në afërsi të kampit ku do të strehohen azilkërkuesit e vendit fqinj. Një ndër portretet më të veçanta të ambientit është ai ku shfaqet edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ashtu siç pritej ky ambient tërhoqi vëmendjen e turistëve italian.

“Miqtë e mi ma sugjeruan këtë restorant. Me thanë se pronari kishte vendosur t’ia kushtonte të gjithë restorantin Giorgia Melonit. Nuk e di saktësisht historinë, por dua të komentojë vetëm ketë që shoh, edhe kjo është mbresëlënëse. Ne nuk jemi mësuar me këto në Itali”, thotë turisti italian Angelo Niketi.

Një ide e tillë, sipas turistëve, ndoshta nuk do të mirëpritej kaq mirë në Itali.

“Në Itali ndoshta kjo do të shkaktonte disa problematika. Askush nuk do të guxonte ta bënte këtë. Ka disa njerëz që mendojnë se Meloni nuk po punon në mënyrën e duhur, kështu që ata me siguri do të urrenin një ambient të tillë”, shtoi turisti.

Sipas një marrëveshjeje pesëvjeçare të nënshkruar nëntorin e kaluar nga Meloni dhe Rama, 3000 emigrantë të kapur nga roja bregdetare italiane do të strehohen në Shqipëri./abcnews.al