“Respekt për Munishin”, Shkëmbi: Jemi për titull, në Shqipëri ndjekin futbollin dardan

schedule22:18 - 4 Janar, 2021

schedule 22:18 - 4 Janar, 2021

Ballkani këtë sezon ndihet më i fortë se vjet dhe synimi është titulli kampion. Në fazën e parë të sezonit skuadra nga Suhareka përfundoi në vendin e dytë dhe u mund nga të gjithë rivalët direkt.

Kjo ecuri shkaktoi shkarkimin e trajnerit Ismet Munishi dhe në vend të tij u vendos ish-trajneri i Teutës e Ilirisë në Dardani, Blendi Shkëmbi. Ditën e sotme korçari është prezantuar si trajneri i ri i Ballkanit.

Gjatë fjalës së tij Shkëmbi u shpreh se do synohet titulli dhe nëse do e bënte vetë merkaton, lojtarët aktualë do ishin të zgjedhurit e tij. Ai foli me superlativa edhe për të shkarkuarin Munishi.

“Falënderoj drejtuesit për besimin. Është një kënaqësi dhe një ditë e kam ditur se do kthehesha në Kosovë pas eksperiencës me Lirinë. Këtu objektivat janë të mëdha dhe është një klub me objektiva të qarta. Vij me dëshirën dhe bindjen se këtu do kem sukses.

 

Klubi dhe skuadra kanë bërë një punë të shkëlqyer, përfshirë edhe ish-trajnerin Munishi për të cilin kam shumë respekt. Do i mëshojmë shumë objektivit sepse është bërë një punë e madhe, duhet të kemi edhe fatin në krah.

Kampionati në Kosovë ka bërë hapa të mëdha përpara se nga koha kur isha unë. Kisha bindjen se kjo gjë do të ndodhte. Në Shqipëri kanë filluar të ndjekin edhe futbollin këtu.

Titulli? Jam i bindur se jemi në garën për titull dhe lojtarët kanë treguar se e duan këtë gjë, ekipi është i kompletuar. Nëse do isha nga dita e parë e krijimit të skuadrës nuk do kisha asnjë pikëpyetje për lojtarët që janë, kanë atë çka duhet për titullin.

Skënderbeu i ri? Duhet shumë punë për të arritur në hapat e Skënderbeut. Jemi në hapat e duhur. Është kënaqësi që unë si një ish i Skënderbeut të stërvis një klub që do të ndjekë ato hapa. Është kënaqësi që të stërvis këta djem”, përfundoi Shkëmbi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!