Përmirësohet situata rrugore në qarkun e Dibrës. Gjatë orëve të mesnatës, është bërë e mundur hapja e bypass-it të Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit.
Megjithëse segmenti Fushë Bulqizë deri në Planin e Bardhë është bërë i kalueshëm plotësisht, vazhdon të ketë probleme për shkak të erës së fortë.
Akset Peshkopi-Kukës dhe Peshkopi -Librazhd janë të kalueshme me zinxhirë. Firmat kontraktore kanë hapur rrugët e brendëshme të qyteteve, rrugët që lidhin qendrat e njësive Administrative dhe po punojnë për hapjen e fshatrave.
Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe ka segmente ku ka prezencë të dëborës dhe akullit në rrugë, ndaj policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm, të evitojnë lëvizjet e pa nevojshme, të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët.
Shkollat e qytetit dhe të zonave të afërta janë hapur dhe vijon mësimi, ndërsa në zonat e thella vijojnë të jenë të mbyllura edhe ditën e sotme, deri në një njoftim të dytë.
Nga grupet e OSHE janë riparuar defektet në njësitë ku ka pasur probleme, momentalisht ka mungesë energjie në disa fshatra të Ostrenit, Trebishtit dhe Lisit në Mat./abcnews.al