Reshjet dhe çmimi i tregut ndërkombëtar “shtyjnë” fashën 800 kWh, nuk do aplikohet as në nëntor

schedule17:37 - 8 Nëntor, 2022

schedule 17:37 - 8 Nëntor, 2022

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me situatën energjetike në vend.

Balluku tha se qeveria ka mbrojtur familjarët dhe bizneset e vogla e të mesme, ndërsa po analizohet si mund të mbrohen edhe ato biznese që janë klientë të tregut të lirë për të siguruar sasinë e energjisë elektrike.

Ndër të tjera, u bë me dije se fasha 800 kWh të mos aplikohet as në muajin nëntor, pasi moti në vijim parashikohet me reshje, ndërsa ka dhe një rënie në çmimin e tregut ndërkombëtar të energjisë

Pjesë nga deklarata e Ballukut:

Në radhë të parë unë dua të falënderoj të gjithë qytetarët dhe të gjithë bizneset, të cilët kanë adresuar thirrjen tonë për ulje të konsumit të energjisë. Në përfundim të muajit tetor të gjitha shifrat tregojnë se në Republikën e Shqipërisë konsumi i energjisë krahasuar me një vit më parë është 7% më pak dhe kjo është një shifër shumë e rëndësishme.

Ne e kemi nisur duke dhënë shembullin tonë. E kemi nisur nga administrata, duke vendosur një target 15% ulje të konsumit vjetor krahasuar me një vit më parë dhe kjo është adresim i direktivës së Bashkimit Europian. Të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore kanë marrë masa përmes administratorëve të energjisë për të ulur konsumin dhe pas një analize që ne do të bëjmë pas datës 12 nëntor do t’ju themi publikisht se cilat ndërmarrje kanë arritur të kapin tragetin dhe cilat kanë arritur të shkojnë edhe përtej targetit. Megjithatë të gjithë së bashku ne kemi kursyer 7% të konsumit vendor të energjisë dhe kjo është një shifër për tu përshëndetur që na jep edhe ne mundësinë që të rishikojmë çështjen e fashës.

Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që kemi pritur reshje këtë fundjavë, por të cilat kanë qenë të pakonsiderueshme përsa i përket kaskadës së Drinit. Ka pasur reshje në vende të ndryshme të Republikës së Shqipërisë, sidomos në jug dhe juglindje, por në zonën e veriut reshjet kanë qenë të pakta. Megjithatë sipas të dhënave që ne kemi presim që të ketë evente meterologjike në zonën e interesit, në kaskadën e Drinit, por sigurisht edhe prurje nga Maqedonia e Veriut pas datës 13 nëntor. Dhe nga ana tjetër duhet thënë se politikat rregullatorë të Bashkimit Europian përsa i përket situatës së energjisë elektrike dhe të tregjeve të gazit kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e çmimit të importeve për energjinë elektrike.

Kështu, për t’ju dhënë një shembull. HUPX që është bursa parashikuese ka pasur si parashikim në fillim të muajit tetor për blerjet në muajin dhjetor 402 euro për megavatorë, ndërkohë që në fillim të nëntorit ky parashikim i së njëjtës bursë, bursës hungareze, është 289 euro për megavatëorë. Sigurisht këto nuk janë ulje të konsiderueshme nëse ne i krahasojmë me çmimet që blihej energjia në vitin 2020 apo fillim të vitit 2021 me 40 apo 50 euro, por krahasuar me 1040 euro apo krahasuar me 450 euro që blihej në shtator, një ulje nga 400 në 280 apo në 250 euro është një ulje me të vërtetë që ne do të na ndihmonte në këto momente.

Duke u bazuar mbi të gjithë faktorët që përmenda, Qeveria Shqiptare ka vendosur të mos aplikojë fashën 800 kilovatorë për abonentët familjarë gjatë muajit nëntor. Kjo është një kohë për solidaritet. Në rast se të gjithë së bashku vendosëm të bashkëpunojmë, në qoftë se të gjithë së bashku, ashtu siç kemi bërë në muajin shtator dhe tetor, padyshim Qeveria Shqiptare është e angazhuar që të mos ekspozojë asnjë abonent familjar ndaj fashës 800 kilovatorë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!