Nga Chris Patten, Project Syndicate
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u krijua në vitet 1970 si produkt i konfliktit të Luftës së Ftohtë midis Perëndimit demokratik liberal dhe bllokut komunist sovjetik. Emri i saj e përshkruante me saktësi rolin që kishte. Ndërsa perandoria sovjetike u shkatërrua, OSBE u fokusua në lehtësimin e tranzicionit të vendeve ish-komuniste drejt demokracisë, përfshirë edhe ndihmën ndaj tyre për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Bota i kushtoi një vëmendje të madhe verdiktit të misioneve vëzhguese të OSBE-së mbi zgjedhjet e mbajtura në vende si Ukraina, Rumania dhe Kazakistani. Por pak në atë kohë,patën në vëmendje të shtuar zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, vendin e lirisë.
Është e vërtetë:disa mund të kenë qenë paksa të shqetësuar nga stili elektoral i fushatës së partive kryesore në SHBA, nga përpjekjet më të fundit të republikanëve për të penguar votimin në komunitete me ngjyrë, apo raportimi politik i njëanshëm i disa mediave lokale dhe kombëtare.
Por në përgjithësi, ecuria e zgjedhjeve të SHBA krijoi pak arsye për shqetësime. Votuesit i zgjedhin presidentët e tyre në mënyrë të ndershme, ndonëse përmes një sistemi interesant të Kolegjit Zgjedhor që pasqyron historinë e Amerikës, por që ndonjëherë i ka mohuar fitoren fituesit të votës popullore.
Zgjedhjet presidenciale të këtij viti, u zhvilluan në mesin e një tensioni politik të madh, si dhe të një pandemie të furishme të Covid-19. Por verdikti i OSBE-së ishte i qartë: Votimi ishte “konkurrues dhe i mirë-menaxhuar”.
Vëzhgues të tjerë të pavarur të huaj – si dhe zyrtarë shtetërorë republikanë që organizuan dhe administruan disa nga votimet dhe numërimet – thanë të njëjtën gjë. Por presidentit Donald Trump pretendoi për manipulime masive. OSBE i denoncoi “akuzat e pabaza për mangësi sistematike, sidomos nga presidenti në detyrë”, që sipas tij “e dëmtojnë besimin e publikut tek institucionet demokratike”.
Unë mendoj se askush nuk duhet të habitet me refuzimin e Trump për të pranuar fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden, duke e vonuar me disa javë fillimin e tranzicionit për administratën e re. Ndërsa vdekjet e përditshme nga Covid-19 në SHBA, kapën një rekord të ri, Trump deklaroi në Twitter se ai mund të humbasë vetëm nëse demokratët manipulonin procesin.
Duke argumentuar se humbja e tij – me rreth 6 milion vota – duhet të jetë një manipulim, Trump po sillet ashtu siç veproi kur ishte biznesmen. Çdo marrëveshje e prishur, çdo mosmarrëveshje me një bankë që i kishte huazuar shumë para, sillte një sfidë të ligjshme.
Trump nuk e pranonte asnjëherë se kishte humbur. Në vitin 2016, “USA Today” raportoi se Trump dhe bizneset e tij ishin përfshirë në të paktën 3.500 çështje gjyqësore gjatë 30 viteve të fundit. Por pretendimet e Trump për manipulim të procesit,jo vetëm e nënçmojnë edhe më shumë, por gjithashtu e dëmtojnë imazhin global të Amerikës, dhe dëmtojnë kudo kauzën e demokracisë liberale.
Shtetet autoritare si Rusia dhe Kina, kanë pretenduan për vite me radhë se parimet thelbësore liberale-demokratike – përfshirë shtetin e së drejtës, një gjyqësor të pavarur, shoqërinë civile, lirinë e shprehjes dhe ndarjen e pushteteve – janë hipokrite dhe pa asnjë kuptim.
Për presidentin rus Vladimir Putin, manipulimi i zgjedhjeve dhe burgosja e kundërshtarëve (ose përpjekja për t’i eleminuar ata) janë natyra e tij e dytë. Ai sundon përmes “manualit” të vjetër të KGB-së, dhe ka krijuar aktualisht një shoqëri, në të cilën sa për të marrë hua titullin e një libri të shkëlqyer të Peter Pomerantsev “asgjë nuk është e vërtetë, dhe gjithçka është e mundur”.
Ndërkohë presidenti kinez, Xi Jinping, ka inkurajuar një sulm ndaj atyre që Partia Komuniste e Kinës i përqesh si vlera perëndimore. Regjimi i Pekinit,ka shkelur rregullisht normat dhe frymën e marrëveshjeve ndërkombëtare, kryesisht duke shtypur demokracinë në Hong Kong, në një përpjekje për ta kthyer qytetin dikur të lirë, në një kopje të shtetit të mbikëqyrjes policore të Xi-së.
Shoqëritë e hapura duhet të ngrihen mbi parimet që mishërojnë institucionet e tyre. Konfuci thoshte dikur se cilësitë morale të udhëheqësve, kanë më shumë rëndësi sesa institucionet, por historia padyshim që ka nxjerrë në pah rëndësinë e të dyjave. Liderët e korruptuar, burracakë dhe të egër,i shkatërrojnë shpesh bazat institucionale të sistemeve të qeverisjes së vendeve të tyre.
Edhe pse Trump ka kryer në SHBA punën shkatërruese që e synonin shumë Putini dhe Xi, ai nuk mund ta bënte atë pa bashkëpunimin e liderëve të tjerë të Partisë Republikane, sidomos në Senat. Ata e dinë se sa e rrezikshme ka qenë sjellja pas-zgjedhore e Trumpit, por duke pasur frikë nga ai dhe mbështetësit e tij më fanatikë, kanë hequr dorë nga mbrojtja e parimeve të tyre.
Senatorja Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, që në vitin 2016 e përshkroi Trumpin si një “fanatik ksenofob, racist”, loboi kohët e fundit tek sekretarët republikanë të shtetit në Xhorxhia dhe Arizona, për të parë parë nëse ata ishin në gjendje të skualifikonin çdo votë të hedhur në bastionet demokrate.
Dhe “komandanti” i kësaj kolone të pestë është udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch Mcconnell nga Kentucky. Shqetësimi i tij kryesor, është të mbajë postin e tij,duke siguruar që republikanët të mbajnë kontrollin e Senatit pas 2 balotazheve që do të mbahen në Xhorxhia në fillim të janarit. Pra, Mçonnell nuk dëshiron të bëjë asgjë që mund t’i de-motivojë mbështetësit e Trump për të mos votuar. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al