Sipas raportit më të fundit të organizatës jo qeveritare “Reporterët pa kufij”, liria e medias në Ballkan është në situatën më të keqe të mundshme. Ndërsa vendi ku ky fenomen është më i përhapur është Serbia, aq sa situate aktuale në vend krahasohet me kohën e Millosheviçit.
Ka qenë një protestë e opozitës serbe në Beograd, javën që lajmë pas, ajo që riaktualizoi problemin e medias, respektivisht kontrollin e saj nga regjimi i presidentit, Aleksandër Vuçiç. Mënyra se si u raportua nga ky tubim, thotë televizioni i pavarur serb “N1” ishte njësoj si në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, atë botë televizioni i vetëm shtetëror kontrollohej nga Milosheviçi, ndërsa sot për shumicën e televizioneve thuhet se janë në shërbim të presidentit Aleksandër Vuçiç, të cilit, “Reporterët pa kufij”, ia përshkruajnë edhe përkeqësimin e gjendjes së medias prej se erdhi në postin e numrit një të shtetit. Është interesante se si në vitet e ‘90, ashtu edhe tani, zëri opozitar, apo edhe i lirisë së medias, tentohet të bëhet zap për shkak të Kosovës.
“Mitingu kaloi, kurse nga madhështia dhe jehona e tij në popull mbetën vetëm fjalët e mëdha. Opozita e bashkuar tregoi qartë se do të sakrifikonte edhe demokracinë e mirëfilltë edhe unitetin kushtetues të Serbisë, madje edhe integritetin territorial të saj. Në verbërinë dhe dëshirën e vet për të ardhur në pushtet, ajo do të sakrifikonte edhe Kosovën”, lexonte më 1990, Dushanka Kalanj, njëra ndër folëset më të mira të telelevizionit jugosllav.
Njëzetetetëvjet më vonë, i njëjti stil i të raportuarit.
“Protesta u organizua kundër dhunës, nën moton “Ndal këmishave të përgjakura” që është një hipokrizi e madhe për shkak se po ata njerëz, të cilët organizuan protestën bëjnë thirrje për vetëgjyqësi, përdhunime, dhunë, grusht-shtet dhe këtë e konsiderojmë si tejet, tejet, hipokrite sidomos në këtë situatë kur në shtetin tonë gjendja duhet të jetë e qetë dhe e qëndrueshme për shkak të gjithë asaj që ndodhë në Kosovë e Metohi”, raportoi më tetë Dhjetor gazetarja e tv “B92” për të cilin thuhet se është i kontrolluar nga regjimi i presidentit aktual serb.
Receta e pushtetit për keqpërdorim të medias në vitet e nëntëdhja të shekullit të kaluar dhe kjo e tashmja është e njëjtë, tha për televizionin “N1” Lazar Laliç, një ish-punonjës i televizionit shtetëror të Serbisë, i cili ka bërë një serial televiziv me titull “Pamjet dhe fjalët e urrejtjes” që analizon raportimin gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX.
“Këtë e patentoi Milosheviçi: të mbështetem në televizion si shtyllë e katërt e ruajtjes së pushtetit. Natyrisht, ky që doli nga kapota e Milosheviçit dhe Sheshelit këtë vetëm po e përsos”, krahason Laliç ndikimin dhe presionin e Milosheviçit dhe të Vuçiçit mbi median.
Në fakt, kohët e fundit në Beograd janë shtuar kritikat në adresë të presidentit dhe partisë së tij për intensifikim të përpjekjeve për të vënë nën kontroll median elektronike. Ditë më parë u bë një transaksion i dyshimtë i shitjes së një rrjeti kabllovik privat telekomit shtetëror serb dhe i shit-blerjes, po ashtu të dyshimtë të grupimit “Antena” me dy televizione me frekuenca kombëtare në Serbi e Mal të Zi. Organizata “Freedom House” tha se mungesa e transparencës nuk ushqen shpresën se qeveria e Serbisë dëshiron të respektojë lirinë e medias./abcnews.al