Rënia e Tiranës/ “Bardheblutë” rrezikojnë seriozisht të bien nga kategoria, FSHF i dënoi të luajnë pa tifozë deri në fund të sezonit

schedule19:46 - 3 Nëntor, 2024

schedule 19:46 - 3 Nëntor, 2024

Ka qenë momenti më i dhimbshëm në histori.

Tirana e provoi në 27 maj të 2017-ës se çdo të thotë të biesh nga kategoria, diçka që ndodhi për herë të parë në 97 vite të ekzistencës së klubit më të madh të Shqipërisë.

Kanë kaluar më shumë se 7 vjet nga ajo pasdite tragjike në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, kur tiranasit dhe Vllaznia luanin një derbi për të mos humbur Superligën.

Atë kohë ia dolën shkodranët, ndërsa “Bardhebluve” u mbetën lot.

Kjo fatkeqësi futbolli rikujtohet sot, ndërsa kanë kaluar fare pak ditë që nga dënimi që Federata Shqiptare e Futbollit i dha klubit më të titulluar në vend.

Tirana u ndëshkua nga Komisioni i Disiplinës që të luajë pa tifozë të gjitha ndeshjet deri në fund të këtij sezoni të Superligës.

Kjo, pas ndeshjes ndaj Vllaznisë në Lushnje, ku u hodhën kapsolla në drejtim të lojtarëve shkodranë, dy prej të cilëve patën nevojë për ndihmë mjekësore.

E ndodhur në një pozicion të vështirë në renditje, me shumicën e ndeshjeve të barazuara, ekipi i trajnerit Bledi Shkëmbi rrezikon jo pak.

Rivalët janë shumë pranë, edhe ata të vendeve të fundit si Skënderbeu e Laçi, ndërsa 26 herë kampionët kanë edhe minusin e madh që ndeshjet po I luajnë larg kryeqytetit, siç ndodhi dikur me derbin ndaj Partizanit, të zhvilluar në “Elbasan Arena” në 2022, ndonëse atëherë fitoi ndeshjen dhe po ashtu titullin me trajnerin Orges Shehi.

Kontrasti nuk ka si bëhet më i madh, ndërsa në 2017 tiranasit kishin 8 vjet që nuk e fitonin kampionatin, ndërsa u desh të prisnin edhe tre vjet të tjerë.

Klubi kryeqytetas reagoi pas vendimit, duke e quajtur tërësisht në disproporcion me incidentin e ndodhur në këtë ndeshje.

Po ashtu, në komunikatën zyrtare theksohet se është e pakuptimtë që Federata të dënojë një qytet të tërë për një ngjarje të zbardhur nga policia dhe organet kompetente menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Reagim pati edhe nga tifogrupi “Tirona Fanatiks”.

Ultrasit bardheblu, disa prej të cilëve besohet se ishin fajtorë për incidentin në Lushnje, e akuzuan ashpër Federatën, duke mos kursyer epitetet, e duke e cilësuar dënimin si tendencioz.

Ky reagim ishte i ndryshëm nga ai I 2017-ës, kur grupimi akuzoi kryesisht klubin si shkaktar që ekipi i atëhershëm i trajnerit Mirel Josa zbriti në Kategorinë e Parë.

E vërteta është që raporti i “Fanatiksave” me drejtuesit “Bardheblu” nuk ka qenë aspak idilik, ndërsa më shumë e vërtetë ka qenë e kundërta.

Disa herë Tirana ka marrë gjoba apo pezullime, si dhe shlyerje të dëmeve të shkaktuara kryesisht në arenën “Air Albania”, sidomos në derbit ndaj Partizanit, por edhe në ndonjë ndeshje tjetër ndaj rivalëve.

Edhe për hedhjen e kapsollave në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, klubi do të duhet të paguajë jo pak, por 300 000 lekë të reja.

Një goditje më tej për financat, që edhe pa këtë gjobë nuk dukeshin si shumë të shëndosha.

Kulmi i konfliktit u arrit në 26 janar 2017, kur dhjetëra tifozë mësynë në Qendrën Sportive “Skënder Halili” në Qytetin e Nxënësve në kryeqytet, për të protestuar ndaj një vendimi të mundshëm të presidentit Refik Halili për t’i dhënë me qira Partizanit stadiumin “Selman Stërmasi”.

Impianti menaxhohej nga Tirana, sipas një kontrate me Bashkinë, dhe presidenti i “Të Kuqve”, Demi, kërkoi t’i luante ndeshjet aty derisa të përfundonte ndërtimi i Arenës së re kombëtare, pas shembjes së “Qemal Stafës”.

Tifozët sulmuan ashpërsisht lojtarët, dhe situata mbeti tepër e tensionuar, ndërsa policia shoqëroi 32 prej tyre.

Armiqësia mes palëve vazhdoi sepse Halili u detyrua të pranonte marrëveshjen me Demin, pas ndërmjetësisë dhe ndërhyrjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ndërkaq, duke u kthyer tek dënimi i Tiranës këto ditë, kjo pritet t’i japë edhe një goditje tjetër të madhe formulës së Superligës.

Një nga arsyet e formatit me “play-off” ishte dëshira për të pasur derbi mes Partizanit e Tiranës, në garën për titull, në arenën “Air Albania” që do të ishte e mbushur plot, dhe me çmime biletash besohet të larta.

Kjo gjë tani nuk do të ndodhë, ndonëse bardheblutë kanë ende shpresë te Komisioni i Apelit, dhe më pas tek ndonjë gjyq tjetër qoftë edhe jashtë vendit për të kthyer tifozët në stadium. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!