Ka marrë përmasa tragjike situata me helmimet në Deçan të Kosovës, ku së fundmi raportohet se 1 prej tyre ka humbur jetën. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Policia është informuar se në fshatin Prilep-Deçan një person e ka gjendjen e rëndë shëndetësore, pasi ka shkuar në atë lokacion personi i sëmurë me autoambulancë është dërguar në spitalin rajonal në Pejë dhe rreth orës 21:00, nga ekipi mjekësor është konfirmuar vdekja e tij. Me vendim të Prokurorit të shtetit trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, tha Rugova.
Së paku 900 persona janë helmuar në Deçan nga uji i pijshëm. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga rastet e para, ende nuk ka një përgjigje nga analizat e ujit.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka dhënë detaje për situatën e helmimit të qytetarëve.
Ramosaj tha se nga rezultatet e para ka dalë që kimikisht uji është i pijshëm, ndërsa tha se rezultatet biokimike ende nuk kanë dalë. Mirëpo, vetëm këtë muaj dy herë është dyshuar për helmim uji, duke bërë që autoritetet lokale të supozojnë edhe për një skenar të qëllimshëm. e.l/abcnews.al/