Është rritur numri i personave që kanë humbur jetën gjatë festimeve të Halloween në lagjen Itaewon të Seulit, në Korenë e Jugut.
BBC raporton se të paktën 146 persona kanë vdekur dhe 150 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ishte ngjarja e parë e Halloween pa maska në natyrë që nga pandemia.
“Zona është ende kaotike, kështu që ne ende po përpiqemi të kuptojmë numrin e saktë të njerëzve të plagosur”, tha Moon Hyun-joo, një zyrtar në Agjencinë Kombëtare të Zjarrfikësve për agjencinë e lajmeve Reuters.
Shtetas të huaj raportohet të jenë në mesin e shumë të transferuarve në spitalet aty pranë.
Autoritetet thanë se po hetojnë shkakun e saktë të incidentit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 me orën lokale (13:20 BST), pasi një numër i madh njerëzish ranë poshtë në një rrugicë të ngushtë gjatë festimeve të Halloween, tha Choi Sung-beom, kreu i Stacionit të Zjarrfikësve Yongsan, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Raportohet se kishte 100,000 pjesëmarrës në zonë.
Për të përballuar aksidentin tragjik janë mobilizuar gjithsej 142 zjarrfikëse dhe mjete të tjera shpëtimi.
Autoritetet thanë se numri i vdekjeve mund të rritet akoma më tej me ata që pësuan lëndime të rënda duke marrë trajtime urgjente në spitalet aty pranë.
/Abcnews.al/