Duket sikur koha për të shkon prapa.
Zakonisht për yjet e sportit që shkëlqejnë edhe në moshë të madhe thuhet se “koha ka mbetur në vend”, pork jo nuk mjafton për një si Mohamed Salah.
Sulmuesi i Liverpulit dhe i Egjiptit po luan sezonin e jetës, ndonëse është 32 vjeç.
Me 27 gola e 17 asiste në vetëm 29 ndeshje të kampionatit anglez, ai ka një mesatare ndoshta prej Lionel Mesi, pasi as Kristiano Ronaldo nuk kishte kaq shumë pasime vendimtare.
Kur ende duhen edhe 9 javë deri në përfundim të Premier Ligës, Salah ka barazuar rekordin që mbajnë Tieri Henri, dikur I Arsenalit, dhe Erling Haland I Mançester Sitit me 44 kontribute për gol në një edicion.
E përkthyer në statistika kjo do të thotë se I mbiquajturi “Faraoni” ka kontribut në 64 për qind të golave të Liverpulit.
Sulmuesi nga Egjipti ka luajtur në 100 për qind të rasteve si titullar dhe ka qenë në fushë në 99 për qind të kohës në kampionat!
Vërtet një maratonomak!
Gjithsesi, këto janë statistikat vetëm në ligë, sepse në sezon ai ka gjithsej 32 rrjeta dhe 22 asiste.
Të gjithë këto në 43 sfida, në të cilat ka pasur sjellje shembullore duke marrë vetëm një karton të verdhë.
Në total, ai është shënuesi numër 3 i ekipit nga “Anfildi” për të gjitha kohët, me 242 gola, ndërsa përpara tij janë vetëm Hant dhe Jan Rash.
Po ashtu, është shënuesi i pestë më i mirë në historinë e Premier Ligës me 184 rrjeta, po aq sa Kun Aguerro.
Natyrisht, Alan Shirer mbetet larg me 260.
Me Liverpulin synon shumë trofe këtë herë.
Premier Liga mund të quhet tashmë e fituar, ndonëse sezoni ka pasur shumë hidhërime, si humbja e finales së Kupës së Ligës, eliminimi nga Kupa e Anglisë dhe nga Championsi./abcnews.al