Juventus siguroi pak ditë më parë titullin e nëntë radhazi në Seria A. Në kampin bardhezi janë të gjithë të lumtur, ku dhe Gianluigi Buffon nuk ngurron t’a shprehë gëzimin për këtë arritje. Italiani u kthye sërish këtë sezon tek “Zonja e Vjetër”, pas një aventure tek francezët e PSG-së.
“Jam shumë i lumtur. Unë kisha një synim për të fituar 10 Scudetto, pasi dy na i vodhën. Tashmë që e arrita këtë numër jam shumë i kënaqur me veten. Ia dola mbanë, madje vendosa dhe rekordin për më shumë paraqitje,” deklaron gardiani për “Il Corriere dello Sport”.
“Ne e fituam titullin, por ishte një vit shumë i vështirë për ne. Unë jam përshtatur gjithmonë, pasi jam dhe altruist nga natyra. E kam vënë veten në test. Jam krenar për veten sepse e kam kaluar atë. Unë gjithmonë nuk e kam pëlqyer arrogancën dhe të them se jam më i miri, por bashkëpunimi me Szczesnyn më ka ndihmuar të kuptoj se ku jam,” mbyll 42-vjeçari. /abcnews.al