Pagesat në euro nëpërmjet bankave kanë prekur një rekord të ri gjatë vitit të kaluar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm në 11 muaj vlera e transaksioneve në euro ka qenë më e lartë nëse e krahasojmë me totalin e vitit 2023. Shifrat tregojnë një rritje të përgjithshme të veprimeve nga viti në viti.
Për periudhën janar –nëntor numërohen 291 mijë transaksione të kryera me sistemin AIPS, të cilat kapin një vlerë prej 4.6 miliardë euro. Ndërkohë po sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë numri i transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS në vitin 2023 për pagesat në euro brenda vendit ishte 249 mijë me vlerë 4.1 miliardë euro.
Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndër bankare AIPS përdoret nga bankat për të transferuar në kohë reale shuma të mëdha parash me njëra-tjetrën në rastet kur një qytetar kryen blerjen e një prone apo makine, transaksioni përfshin lëvizjen e parave midis bankës së blerësit dhe bankës së shitësit.
Këto të dhëna konfirmojnë edhe faktin e sasisë së lartë të eurove që qarkulluan në ekonominë shqiptare gjatë vitit të kaluar duke bërë që euro të prekë nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Rritja e numrit të transaksioneve në euro është një tregues pozitiv në formalizimin e ekonomisë.
Ndërsa një element që ka ndikuar në këtë drejtim është ulja e kostove për këto transaksione. Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë vuri në funksion sistemin AIPS i cili mundësoi kryerjen e pagesave në euro brenda sistemit bankar shqiptar pa tarifa shtesë nga bankat meme.
Ndërkohë më herët, transfertat kombëtare në Euro bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në bankat mëmë, duke pasur kosto shtesë që varionin nga 200-300 euro për çdo transaksion.