Jo më kot është mbiquajtur Sergej Bubka i ri. Armand Duplantis theu një tjetër rekord botëror në disiplinën e tij të veçantë në atletikë, kërcimin me shkop.
Në moshën 25-vjeçare, kur ende ka shumë vite karrierë, kaloi lartësinë 6 metra e 28 centimetra në Mitingun e Ligës së Diamantit në Stokholm, madje që në provën e parë.
Suedezi pra realizoi rekordin më të bukur botëror përpara publikut të vendit të tij. Kjo është hera e 12-të që ai ia del, që kur filloi gjithçka në shkurt 2020 me rekordin 6 metra e 17 centimetra.
Dy herë kampion olimpik, kampion europian, dy herë kampion bote në stadium dhe tri herë kampion bote në salla të mbyllura, suedezi pritet të kërcejë më lart.
Mitingu I Stokholmit pati edhe mjaft rezultate të tjera të larta, edhe pse jo rekorde botërore. Suedezi tjetër Andreas Almgren, vendosi një rekord të ri të Europës, dhe rekord të mitingut në 5000 metra për meshkuj me kohën 12’44”27.
Në 100 metra për femra, atletja nga Sent Lusia, Xhulien Aldfre vendosi rekordin e mitingut me 10”75. Rekord I mitingut edhe në 400 metra me pengesa për meshkuj nga amerikani Rei Benxhamin me kohën 46”54.
Të njëjtën gjë bëri amerikania Grejs Stark në 100 metra me pengesa për femra duke arritur rezultatin 12”33, si dhe patriotja e saj Tejra Dejvis-Udholl në kërcim së gjati për femra me shifrat 7.05 metra. E pathyer mberi holandezja Femke Bol në 400 metra me pengesa për femra. Ajo sfidoi gjithë konkurrentet me fitoren 52”11 që ishte rekord i mitingut.