Reja: I pranoj kritikat, por s’do ndryshoja asgjë! Broja? S’mund të luante titullar

schedule23:38 - 7 Shtator, 2020

schedule 23:38 - 7 Shtator, 2020

Një ndeshje aspak e mirë dhe disfatë në “Air Albania”. Lituania na mposhti 1-0 dhe Shqipëria kthehet me këmbë në tokë pas fitores në Minsk përballë Bjellorusisë. Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja foli rreth humbjes në konferencën për shtypin dhe tregoi se çfarë nuk funksionoi.

“Ekipi ishte përgatitur mirë, por rivali ishte dy herë më mirë se ne fizikisht. Ishin me dopio-marsh nëse nuk mund ta themi kështu. Na vunë në vështirësi, ishte meritë e tyre. Më shqetëson gjendja fizike e lojtarëve, kemi shumë lojtarë pa ndeshje. Dy ekipet që u përballëm ishin para nesh në aspektin fizik.

Ata vraponin më shumë se ne dhe na vunë në vështirësi. Këto janë ndeshje që bëhen edhe më të vështira kur nuk shënon. Nuk finalizuam dot. E nisëm mirë pjesën e dytë, por bëmë atë gabimin te gol. Mundohesh të bësh mirë, por nuk është e lehtë. Kishim rastet tona, me Laçin dhe Hysajn. Lituania kishte në favor golin dhe për ne u komplikua gjithçka”.

“Nuk do të ndryshoja asgjë. Hodha në fushë Laçin dhe mendoj se bëri një ndeshje të mirë, vrapo pa pushim. Bare ishte i lodhur. Këto ishin mundësitë. Dhashë gjithçka. Edhe lojtarët e tjerë nuk kishin gjendjen e duhur fizike. I pranoj kritikat. Lituania na vuri në presion. Ishte nga ato ndeshje ku shënohet me korne e goditje dënimi. Nuk na eci, por Lituanisë”.

“Broja titullar? Nuk ka luajtur këtë vit, si mund të luajë në një ndeshje ndërkombëtare. Zgjedhjet janë ato që ishin, nuk ka të tjera. Luajtën Mihaj dhe Laçi, të cilët u paraqitën mirë. Ishin dy nga ndryshimet tona. Edhe Abrashi u paraqit mirë. Në ndeshje të tilla duhet shpejtësi dhe teknike. Pas një muaji shpresoj të jemi ndryshe, t’i kemi lojtarët në formë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!