Shqipëria tentoi fitoren në takimin e sotëm në Kazakistan, por rastet që krijuam nuk ia dolëm t’i finalizonim. Përfundimisht 0-0 dhe kuqezinjtë numërojnë 4 pikë pas tre ndeshjeve të para në Nations League. Trajneri i kombëtares, Edi Reja foli pas ndeshjes për RTSH Sport, ku ndër të tjera tha:
“I patëm rastet tona, por nuk arritëm të shënonim. Bëmë një ndeshje të mirë. Broja dhe Kallaku bënë paraqitje pozitive. Në përgjithësi kemi bërë paraqitje të mirë, por nuk finalizuam dot. Po të kishim pak më shumë eksperiencë, mund të kishim bërë më mirë. Më vjen keq për Seferin dhe Brojën, të cilët mund të kishin shënuar.
Unë nuk jam i kënaqur me një pikë. Kemi krijuar disa raste për shënim. Nëse nuk shtyjmë shumë nga mesfusha në sulm, do hasim vështirësi në finalizim. Patëm edhe shumë mungesa të rëndësishme. Ishin 10 lojtarë që i njihja shumë pak, duhet pasur parasysh paraqitja. Kemi edhe ndeshje të tjera, do të përpiqemi të marrim maksimumin në ndeshjet e tjera.
Skuadra e ‘fjetur’? Grinta nuk blihet në farmaci. Nëse dikush e ka, e ka dhe kaq. Krijuam shumë raste për gol. Largohemi nga kjo ndeshje të penalizuar. Lojtarët e rinj duhet të rriten. Na mungoi vetëm konkretizimi. Deri diku jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës.
Cikalleshi dhe Balaj? Janë gjëra që kanë kaluar, duhet të flasim për ndeshjen. E kam thënë dhe në konferencën për shtypin“, thekson trajneri italian. /abcnews.al

