Regjistrimet e punonjësve part-time “ngërç” në sistem

schedule15:47 - 2 Mars, 2021

schedule 15:47 - 2 Mars, 2021

Nga Erblina Mile

Sistemi i punësimit part-time në vend duket se nuk po funksionon duke penalizuar bizneset në kohë pandemie. Një subjekt që kërkon të punësojë një punonjës me kohë të pjesshme është i detyruar që të paguajë kontributet  shoqërore dhe shëndetësore mbi bazën e pagës prej 30 mijë lekësh edhe pse mund të punësohet vetëm disa ditë në muaj.

Nëse nuk e deklaron  mbi këtë nivel, atëherë nuk pranohet nga sistemi. Ekspertët sqarojnë se paga minimale prej 30 mijë lekësh është detyrim për një orar të plotë pune në një muaj dhe nuk duhet të zbatohet edhe për punësimet me kohë të pjesshme.

“Kjo është paga minimale. Por ndërkohë që kemi të bëjmë me kohë pune atëherë llogaritë bëhen mbi punën faktike”.

Enri Jahaj  kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve shprehet se  në këtë moment krize për shkak të pandemisë punësimi  me kohë të pjesshme do të ishte një zgjidhje që do ti vinte në ndihmë bizneseve shqiptare.

“Nuk kemi pse t’i paguajmë sigurimet dhe taksat nëse nuk janë të plotë. Por kjo penalizon biznesin. Punëmarrësi nuk do t’ja dijë se si janë taksat”, thotë ai.

Administrata Tatimore sqaron se bizneset janë të detyruar që për çdo punonjës që deklarojnë duhet të paguajnë kontributet në bazë të pagës 30 mijë lekë, një limit ky i saktësuar me vendim i cili ka nisur të zbatohet që prej 1 janarit të vitit 2021.

Por për bizneset një kufizim i tillë është një mënyrë për të kompensuar të ardhurat në buxhet të cilat do të mungojnë nga heqja e taksës  për biznesin e vogël gjatë këtij viti. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!