Spitalet publike në vend po kalojnë në një fazë të re rikonstrukturimi të shërbimit spitalor. Sipas Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala spitalet po rivlerësohen për kalimin nga financimi i bazuar në shtretër në atë të financimit sipas rasteve.
Kjo reformë synon rikonceptimin e plotë të të gjithë spitaleve rajonale në vend, për largësinë e tyre nga qendrat e banuara, shfrytëzimin e shtretërve dhe riorganizimin e shërbimeve që kryhen në këto spitale.
“Ristrukturimi i shërbimit spitalor, përmes kalimit nga financimi i bazuar në shtretër në financimin sipas rasteve (modeli DRG), duke garantuar që fondet publike të ndjekin shërbimin dhe performancën. Në këtë kuadër do të racionalizohen kapacitetet e 42 spitaleve dhe do të zgjerohen shërbimet”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Nga Kopenhagen, ku Ministria e Shëndetësisë firmosi marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën Europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon mbështetjen e Shqipërisë në garantimin e aksesit universal në kujdes shëndetësor cilësor, ministria tha se ndër të tjera Shqipëria propozoi pranë OBSH-së edhe një nismë europiane për parandalimin dhe adresimin e dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.
Për të disatën herë, Sala theksoi reformën në shërbimin e onkologjisë, përmes ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumorit dhe Rrjetit Kombëtar Onkologjik, në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano, si përfshirja e IA në shëndetësi, me ndërtimin e boshtit digjital të shëndetësisë dhe sistemeve të ndërveprueshme.


