Kryeministri Edi Rama tha se PS e mbajti premtimin për reformën në drejtësi, duke iu dhënë shqiptarëve atë që kanë ëndërruar prej vitesh, ndërtimin e një shteti të së drejtës. Në Kuvendin Kombëtar Rinor të PS, kryeministri tha se “PS do të ndërtojë një shtet të së drejtës me çdo dhimbje, kosto dhe çmim”.
“Ata do t’u thonë se unë dhe ne jemi çetë hajdutësh, se ja ky dhe ai, që ishin deri dje me ne, deri në një karrige më tutje nga unë janë sot në duart e drejtësisë apo në kërkim por do t’u thoni vetes dhe të tjerëve se po të mos ishin ne socialistët për t’i dhënë pavarësisë drejtësisë nuk do të kishte asnjë njeri me pushtet politik përpara drejtësisë siç nuk pati kurrë më parë që nga 1912 deri kur bëmë reformën në drejtësi. Reformën në drejtësi e bëmë siç e thamë, jo për të luftuar kundërshtarët nëpërmjet drejtësisë por për të dhënë për herë të parë në histori shqiptarëve shansin real të ndërtimit të një shteti shqiptar të së drejtës. Ky popull se ka pasur kurrë një shtet të së drejtës. Pikërisht se ky vend ka këtë parti, PS, ka sot edhe shansin historik të ndërtojë një shtet të së drejtës me çdo dhimbje, kosto dhe çmim. Por me vendosshmërinë e arritjes së atij suksesi që do të mbetet në histori jo vetëm duke ëndërruar, as duke luftuar për të, as duke vrapuar drejt tij por duke u ringritur sa herë që stërkëmbëshat kërkojnë të na kthejnë pas.”, u shpreh Rama./abcnews.al