Refluksi tek të porsalindurit ndodh kur ushqimi ngjitet nga stomaku në ezofag. Ky veprim bën që foshnjat të nxjerrin ushqimin nga goja. I njohur shpesh si refluks gastroezofageal, ky fenomen bëhet gjithnjë e më i rrallë teksa fëmijët rriten.
Zakonisht, një foshnje mund të përjetojë refluks disa herë në ditë, por për aq kohë sa ajo është e shëndetshme, ky fenomen nuk duhet t’ju shqetësojë. Shumë prindër kalojnë në këtë fazë, pasi kjo patologji prek gjysmën e bebeve, qofshin ata të ushqyer me qumësht gjiri, apo qumësht formule. Refluksi zakonisht fillon para javës së tetë të jetës.
Refluksi ndodh për shkak të moshës së vogël të fëmijës dhe fazës së tij të zhvillimit. Tubi i tij i ushqimit (ezofagu) lidh gojën me stomakun. Aty ku tubi i ushqimit bashkohet me stomakun, ka një valvulë, që hapet për të lënë qumështin të kalojë në stomak dhe mbyllet për ta mbajtur atë poshtë. Kur fëmija është vetëm disa javësh, tubi i tij i ushqimit është i shkurtër dhe i ngushtë. Valvula në hyrje të stomakut nuk është ende e fortë dhe rri pak lart diafragmës.
Prandaj valvula mund të hapet lehtësisht. Kur stomaku i foshnjës është plot, qumështi dhe lëngjet acide mund të kthehen në tubin e tij të ushqimit, duke i shkaktuar shqetësim. Me siguri do të vini re kur kjo ndodh, por nganjëherë fëmija mund të gëlltisë qumështin sërish. Prindërit duhet të kenë parasysh, se stomaku i fëmijës është ende i vogël, kështu që mund të mos jetë në gjendje të mbajë shumë qumësht apo ushqim menjëherë.
Përveç kësaj, të gjithë foshnjat qëndrojnë shtrirë në pjesën më të madhe të kohës, gjë që e bën më të lehtë kthimin e qumështit nga stomaku në ezofag. Teksa fëmija rritet, muskujt që kontrollojnë valvulën forcohen, tubi i ushqimit zgjatet më shumë dhe stomaku i tij rritet. Pjesa më e madhe e foshnjave nuk kanë më refluks, pas vitit të parë të jetës.
Një foshnjë që vuan nga refluksi mund:
• të nxjerrë sasi të vogla qumështi, ose herë pas here të vjellë pasi ka ngrënë ushqim;
• të ketë kollë, menjëherë ose pak pasi ka ngrënë;
• të ketë frymëmarrje të shpeshtë pas ushqimit të tepërt me qumësht.
Për të lehtësuar simptomat mjekët rekomandojnë:
• Provoni t’i jepni foshnjës suaj sasi më të vogla, por më të shpeshta me qumësht ose ushqim.
• Ushqejeni atë në një pozicion të drejtë.
• Mbajeni fëmijën në pozicion vertikal, për rreth 20 minuta pas çdo ushqimi.
• Nëse e ushqeni me biberon, tregoni kujdes që ta godisni lehtësisht me pëllëmbë në kurriz, çdo dy minuta ose tre minuta dhe sigurohuni që hapësira në kokën e biberonit ku kalon ushqimi nuk është shumë e madhe, sepse kjo do të thotë që foshnja merr shumë sasi qumështi apo ushqimi në një kohë të shkurtër.
Kur duhet të shqetësoheni nëse foshnja ka refluks?
• Fëmija nxjerr vazhdimisht ushqim pasi ushqehet dhe ka të vjella në sasi të konsiderueshme;
• Kollitet shumë gjatë kohës që ushqehet;
• Ngjyra e sekrecioneve që nxjerr nga goja janë të verdha, jeshile ose me gjak;
• Ka gjak në jashtëqitje;
• Fillon të refuzojë ushqimin;
• Ka një bark më të fryrë se zakonisht;
• Nuk po shton në peshë;
• Ka diskomfort gjatë gjithë kohës që e ushqeni.
Flisni me pediatrin nëse foshnja fillon të ketë refluks, pas moshës gjashtë muajsh ose vazhdon ta ketë pasi të jetë një vjeç. Kryeni menjëherë vizita nëse shikoni një nga simptomat e mësipërme.
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!
/abcnews.al