Referendumi në Maqedoni, numërohen një pjesë e votave

schedule22:20 - 30 Shtator, 2018

schedule 22:20 - 30 Shtator, 2018

Deri më tani janë numëruar rreth 88.5% e votave të referendumit për çështjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO në Maqedoni, i cili është karakterizuar nga një pjesëmarrje relativisht e ulët. Pro, deri me tani rezultojnë të kenë 91.33%, ndërsa kundra rezulton se kanë votuar 5.76%.

Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19 të së dielës dhe sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte mbi 36.27 për qind, kuotë që e përkthyer në shifra i bie 672 mijë e 688 qytetarë nga mbi 1 milion e 800 mijë me të drejtë vote. Procesi është zhvilluar nën monitorimin e 12 mijë vëzhguesve vendas dhe 493 të huaj dhe gjatë tij janë regjistruar rreth 20 incidente, të cilat gjithsesi nuk kanë ndikuar në ecurinë e votimeve.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se shumica e incidentëve u verifikuan gjatë paradites, ndërsa 6 prej tyre në orët e pasdites. Një orë pas mbylljes së pikave të votimit ka ardhur reagimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili e ka cilësuar referendumin “të suksesshëm”, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët. Duke theksuar se respekton tërësisht vullnetin e qytetarëve, Zaev ka nënvizuar se çështja do t’i kalojë Kuvendit.

“Dhe nëse Kuvendi nuk e zgjidh, atëhere vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka paralajmëruar kryeministri.

Në të njëjtën linjë, aleati i tij shqiptar Ali Ahmeti ka nënvizuar se qytetarët ia deleguan vendimmarrjen Kuvendit, por ka kundërshtuar opsionin e zgjedhjeve. Paralelisht, një grup qytetarësh janë mbledhur para selisë së Kuvendit për të protestuar kundër marrëveshjes me Greqinë, e nënshkruar në muajin qershor në Prespë.

Përmes një podiumi të vendosur përpara hyrjes së Parlamentit, qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zaev.

Për të parandaluar një përshkallëzim eventual të situatës, një kordon me agjentë policie është vendosur përpara hyrjes së godinës. Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristjan Miçkoski ka deklaruar se, rezultati i referendumit tregon se qytetarët hodhën poshtë marrëveshjen e turpshme dhe nuk lejuan ndryshimin e emrit dhe identitetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!