“Referendumi dështoi”, Ivanov: Në BE, jo me dinjitet të shkelur

schedule21:52 - 1 Tetor, 2018

schedule 21:52 - 1 Tetor, 2018

Në reagimin e parë lidhur me referendumin e së dielës, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka deklaruar se procesi dështoi dhe i ka bërë thirrje mazhorancës qeverisëse që të marrë parasysh vullnetin sovran të qytetarëve. Ivanov ka theksuar se Maqedonia nuk do të hyjë në BE me dinjitet të shkelur.

Duke bërë thirrje për të mos nënvlerësuar vullnetin sovran të popullit maqedonas, presidenti Gjorgje Ivanov ka deklaruar se referendumi i së dielës ka dështuar për sa kohë nuk është arritur kuota ligjore për vlefshmërinë e tij.

“36.9% nuk paraqet vullnetin e popullit, por 63.1% të cilët nuk dolën në votime po. Sado që ta shtrembëroni, nuk mund ta ndryshoni realitetin. Dhe realiteti është se referendumi është i pasuksesshëm”.

Duke nënvizuar se është koha për përgjegjësi para popullit maqedonas, kreu i shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që dolën në votime që të bashkohen rreth interesit të kombëtar. Ai ka theksuar se, Maqedonia mund të avancojë drejt familjes europiane vetëm duke respektuar rendin kushtetues dhe juridik.

“Nuk ka dilemë se vendi i Maqedonisë është në BE dhe NATO, por atje duhet të hyjmë me dinjitetin tonë, pa presione, pa shantazhe dhe pa standarde të dyfishta. Ky duhet të jetë një mësim për të gjitha partitë politike, të kenë kujdes kujt i premtojnë dhe çfarë i premtojnë”.

Ai ka shtuar se, si president ashtu edhe si qytetar pret që mazhoranca në pushtet të marrë përgjegjësitë për referendumin e dështuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!