Referendume lokale/ Premtimi i Këlliçit: Teatri i kukullave, vendosin qytetarët

schedule19:24 - 6 Maj, 2023

schedule 19:24 - 6 Maj, 2023

Një ide së cilës i ka mëshuar fort Ilir Meta që kur ka qenë në Presidencë është bërë pjesë e programit të Belind Këlliçit, në këtë fushatë të 14 majit. Është ideja për rikthimin e referendumeve, ku qytetarët të jenë ata të cilët do të vendosin për çështje të rëndësishme, kombëtare apo në lokale.

“Unë me kënaqësinë më të madhe do të rikthej praktikën e referendumeve lokale në qytet, ku për çështje të caktuara do të vendosin qytetarët. Dhe për shembull pse jo kemi dy opsione për Teatrin e Kukullave: A ta kthejmë në një muze të Tiranës, qëndron një ide, në një muze etnografik të kryeqytetit apo ta kthejmë në një muze të parlamentarizmit shqiptar apo ta kthejmë në sallën e këshillit bashkiak të Tiranës, pra ta rijetëzojmë. Kështu që duke rikthyer referendumet lokale, unë gjykoj se ne i japim fuqi qytetarëve, i japim fuqi qytetit, edhe sigurisht ne jetojmë në një demokraci funksionale dhe nuk duhet ta jetojmë vetëm në letra”.

Në tryezën mbi profesionet e lira, Këllçi u shpreh mbi kundërshtimin dhe skepticizimin për dy premtimet e tij, autobusi falas apo nënklalimi në sheshin Skëndërbej.

“Ma besoni se i vetmi person që ka debatuar me mua më shumë, në aspektin teknik, logjik dhe racional, se pse ne kemi vështirësi në bërjen e këtij projekti, ka qenë Gent Kaprata vetë në debatet me ne, në ekipin tonë, se sa ka qenë kundërshtari. Nuk di ende sot një ekspert, një inxhinier, apo një urbanist që të dalë dhe të thotë që Belind Këlliçi ka dhënë një premtim të parealizueshëm dhe që nuk i shërben qytetit”.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” theksoi në vijim, se programi i tij në thelb ka uljen e kostës së jetesës. Edhe një herë kërkoi debat me rivalin e tij, Erion Veliaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!