Suplementet për ankthin po bëhen gjithnjë e më popullore, me hulumtime që sugjerojnë se ato mund të ndihmojnë në reduktimin e disa simptomave si çrregullimet e ankthit, sipas Live Science.
Ankthi është një gjendje komplekse që shpesh shoqërohet nga probleme të tjera të shëndetit mendor, si depresioni ose PTSD. Shpesh nevojiten medikamente për trajtim efektiv, të kombinuara me terapi të rregullta për të ndihmuar në menaxhimin e simptomave.
Megjithatë, ka disa suplemente dietike që mund t’i merrni periodikisht për të ndihmuar në një shëndet më të mirë, gjumë të qetë dhe menaxhimin e stresit. Sidoqoftë, vlen të përmendet se duhet të shmangni marrjen e suplementeve pa konsultimin e mjekëve.
A mund të ndihmojnë suplementet për të luftuar ankthin?
Nëse keni ankth të lehtë, suplementet mund të jenë një mjet i dobishëm në menaxhimin e simptomave tuaja. Roxana Ehsani, një dietologe shpjegon se suplementet nuk mund të kurojnë ankthin, por mund të ndihmojnë me disa simptoma.
“Disa suplemente mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave të ankthit, por ato duhet të miratohen nga mjeku juaj fillimisht,” tha ajo.
“Gjithashtu dijeni se marrja e suplementeve nuk do të ndihmojë domosdoshmërisht në rregullimin ose shërimin e tij për një kohë të gjatë, ndoshta vetëm përkohësisht.”
Për ata që marrin medikamente të forta si antipsikotikët ose benzodiazepinat, suplementet mund të shkaktojnë efekte anësore të padëshiruara, prandaj duhet të jeni gjithmonë veçanërisht të kujdesshëm në kombinimin e suplementeve me ilaçet e përshkruara dhe pa u konsultuar me mjekun.
“Shumë njerëz që vuajnë nga simptomat e ankthit do të marrin suplemente që i blejnë vetë në internet ose nga një farmaci. Është e vështirë të japësh këshillat më të mira për suplementet kundër ankthit, sepse produktet natyrale, të cilat përfshijnë suplemente vitaminash dhe mineralesh, nuk janë të njejta si ilaçet e tjera,” tha ajo.
Magnezi
Mungesa kronike e magnezit mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor dhe aftësinë tonë për të trajtuar stresin. Nëse mendoni se mund të keni mungesë magnezi, flisni me mjekun tuaj përpara se të shtoni një suplement në dietën tuaj, pasi simptomat tuaja mund të jenë gjithashtu tregues të diçkaje tjetër.
Ehsani gjithashtu vë në dukje se plotësimi i magnezit ka treguar se ndihmon me ankthin. Ka pasur disa prova me suplemente të magnezit tek njerëzit që vuajnë nga ankthi dhe depresioni, dhe zbuloi se kishte reduktuar ankthin.
Valeriana
Shpesh shihet si ilaçi i gjumit, pasi mund të jetë një suplement i dobishëm në menaxhimin e ankthit dhe përmirësimin e gjumit. Megjithatë, për shkak të natyrës së paqëndrueshme të suplementit dhe shumëllojshmërisë së dozave të disponueshme është e paqartë se sa efektiv është në të vërtetë, raporton abcnews.al.
Përveç kësaj, valeriana mund të rrisë fuqinë e medikamenteve të tjera të gjumit, duke përfshirë benzodiazepinat, dhe mund të ndërveprojë me suplemente të tjera, si St John’s Wort, sipas Klinikës Mayo.
Vaj peshku
Suplementet e vajit të peshkut mund të ndihmojnë në trajtimin e mungesës së acideve yndyrore në disa pacientë, gjë që mund të shkaktojë simptoma të shëndetit të dobët mendor për shkak të funksionit që acidet yndyrore luajnë në kiminë e trurit, siç shihet në një përmbledhje në revistën e Frontiers in Aging Neuroscience.
Për më tepër, një dozë e lartë e omega-3 (që gjendet në suplementet e vajit të peshkut) mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të ankthit klinik.
St John’s Wort
St John’s Wort është një ilaç shtëpiak mjaft i njohur për të luftuar humorin e ulët dhe ankthin, por në fakt mund të jetë mjaft i rrezikshëm për t’u marrë, veçanërisht nëse jeni shtatezënë ose jeni duke marrë ilaçe kundër depresionit.
Prandaj është e nevojshme që më përpara të konsultoheni me mjekun.
Vitamina D
Personat që jetojnë në klimat më të ftohta shpesh rekomandohen të marrin vitaminën D nga tetori deri në prill për shkak të niveleve të ulëta të dritës së diellit që shkaktojnë mangësi në shumë popullata.
Ekziston një lidhje pozitive midis mungesës së vitaminës D dhe çrregullimeve të humorit dhe se tek ata me mungesë të vitaminës D, suplementimi ndikon pozitivisht në humor. Meqenëse vitamina D është një nga vitaminat që forcon sistemin imunitar, mund të jetë e dobishme për shëndetin tuaj të përgjithshëm, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
Ehsani shton se mungesa e vitaminës D është e zakonshme në SHBA. Mungesat e vitaminës D gjithashtu mund të shkaktojnë ankth, raporton abcnews.al.
Vitamina B
Mungesa e vitaminës B mund të shkaktojë një sërë simptomash shqetësuese, pasi B12 në veçanti nevojitet për funksionimin e duhur të trurit. Ju mund të ndiheni letargjik, nervoz dhe konfuz nëse keni nivele të ulëta të B12 dhe vitamina të tjera B.
Një kompleks vitaminash B mund të jetë veçanërisht i dobishëm për personat që vuajnë nga çrregullimet e humorit dhe vuajnë nga keqyshqyerja.
Kamomili
Kamomili është një nga përbërësit kryesorë të çajit në kohën e gjumit dhe një suplement mjaft i padëmshëm për shumicën e njerëzve.
Kamomili mund të ndërveprojë me disa medikamente, veçanërisht holluesit e gjakut, kur merret në sasi të mëdha, por një filxhan çaj në ditë nuk ka gjasa të shkaktojë ndonjë efekt anësor.
Gjithashtu sipas studimeve, kamomili mund të jetë i dobishëm nëse keni probleme me ankthin ose vuani nga pagjumëisa.
A përbëjnë ndonjë rrezik?
Është me rëndësi jetike që të flisni me mjekun tuaj përpara se të shtoni ndonjë suplement në dietën tuaj, veçanërisht nëse jeni duke marrë ndonjë medikament, pasi disa suplemente mund të ndërveprojnë me medikamentet me recetë dhe kontrollin e lindjes.
Ehsani rekomandon që fillimisht të flisni me mjekun tuaj kur vendosni të merrni një suplement për të trajtuar ankthin.
/abcnews.al