Redjan Rraja, “babagjyshi” dhe Aleksandër Llanaj izolohen në “41-bis”

schedule21:54 - 22 Nëntor, 2021

schedule 21:54 - 22 Nëntor, 2021

3 personazhë të njohur për drejtësinë Redjan Rraja, Fatmir Pjetri dhe Aleksandër Llanaj janë izoluar në sistemin “41-bis”. Burime për ABC bëjnë me dije se “OK-ja” është dhënë nga ministria e Dejtësisë e cila ka miratuar kërkesën e bërë nga SPAK.

Redjan Rraja është në gjykim nga GJKKO lidhur me atentatin në vitin 2019 ndaj prokurorit Arjan Ndoja.  34-vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë dhe me profesion stomatolog u ndalua në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria drejt Malit të Zi. Nipi i deputetit Rrahman Rraja, dyshohet se është një nga personat që mori pjesë në atentatin ku mbetën të plagosur prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, Pëllumb Muharremi dhe Andi Maloku. Një tjetër ngjarje ku është përfshirë ka ndodhur më 30 Korrik të 2018-s kur Redjan Rraja u akuzua nga punonjësi i policisë Emiliano Nuhu se e kishte kërcënuar së bashku më Ramazan Rrajan. Sakaq Redjan Rraja u arrestua në Maj të vitit 2016, pasi akuzohej për fshehjen e pistoletës dhe telefonit të të vrarit Elton Çiço.

Dy të dënuarit e tjerë të izoluar janë gjithashtu të njohur në botën e krimit. Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal ‘Babagjyshët’ të cilët gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete. Kurse Aleksandër Llanaj është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në vitin 2015 në Vlorë e njohur si masakra e 7 prillit. Gjykata e Apelit në Vlorë asaj kohe e ka dënuar me 35 vjet heqje lirie Aleksandër Llanajn dhe me nga 24.4 vite burg shtetasit Ani Begajn dhe Bertil Aliajn. Që të tre këta persona u shpallën fajtorë për një vrasje të trefishtë të ndodhur në prill  në qytetin e Vlorës. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!