Benjamin Kololli është futbollisti më në formë për momentin në kampionatin zviceran. Lojtari polivalent dardan ka shënuar gola dhe ka dhuruar asiste në ndeshjet e fundit, shpeshherë duke u bërë protagonist për Zurich. Në një intervistë të tij të gjatë të dhënë së fundmi, Kololli ka prekur disa tema interesante.
RASTET ME COVID TE ZURICH – “U befasova shumë, pasi shumica e të infektuarve kishin vetëm një simptomë, ose asnjë. Për fat të mirë të gjithë janë në gjendje të mirë dhe shpresojmë ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë e të rikthehemi të stërvitemi. U trondita kur mora vesh se kishim pozitivë me COVID-19. Edhe njëherë u tregua se sa i rëndësishëm është shëndeti. Nuk jam mjek, por mund të them se nuk i kemi zbatuar udhëzimet e dhënë në mënyrë të rregullt, madje vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë”.
KARRIERA E PAZAKONTË – “Kam bërë shumë gjëra, karriera ime është atipike për një lojtar futbolli. Kur isha 17 vjeç ndalova së luajturi futboll dhe nisa të merresha me kikboks. Kur klubi i kikboksit u mbyll, vendosa të kthehesha sërish në futboll. Kam punuar në një diskotekë, te gardëroba, si dhe në kuzhinë në McDonald’s. Nisa edhe një praktikë 3-mujore, por e lashë në mes sepse bëra llafe me shefin. Në fund, e kreva praktikën tek Sioni. E ndjeva që nuk do ta pranoja autoritetin e tij. Sidoqoftë, gjithmonë i kam respektuar ata”.
AKUZAT PËR HOMOFOBI – “Komentet për videon e gjyqtarit Pascal Erlachner? Papritur unë u konsiderova homofob, por kurrë nuk kam qenë. Jam keqkuptuar, pasi asnjëherë nuk kam pasur probleme me Erlachner”.
KOSOVA DHE LIDHJA ME FUTBOLLIN – “Kosova do të thotë gjithçka për mua. Është vendi im, aty kam rrënjët. Përfaqësuesja më afroi edhe më shumë me Kosovën. Para se të isha pjesë e saj, e vizitoja vetëm një herë në vit. Shkoja në bregdet. Tani shkojë 4-5 herë në vit, edhe prej përfaqësueses. Babai im ka qenë portier mjaft i mirë në Kosovë. Gjithmonë më thotë se kemi shumë fat. Nëse donte të stërvitej, i duhet të udhëtonte me dhjetëra kilometra. Kam dy vëllezër më të mëdhenj, edhe ata luajnë futboll. Nuk kishte asgjë tjetër në fëmijërinë time”.
NDRYSHIMET E SKUADRAVE – “Ky është karakteri im. Kur nuk luaja isha i pakënaqur. Kurrë nuk u interesova për aspektin financiar, doja vetëm të luaja futboll. Ky ishte problem im i vetëm ndonjëherë. Ndoshta duhet të kisha qenë më i durueshëm. Gjithsesi nuk pendohem për asgjë, pasi ky udhëtim më solli te Zurich. Mund edhe të kisha shkuar më lart, por unë gjithmonë besoja te cilësitë e mira. Nëse e zbuloja se e meritoja të luajë dhe nuk më fusnin, atëherë kishte probleme. Nuk i duroj dot padrejtësitë”.
REBELIZMI – “Dialogu është i rëndësishëm për mua, ju mund të rregulloni shumë gjëra me të. Unë rrallë shqetësohem, por kur ndodh situata që bëhet nuk është aspak e mirë. Gjithmonë ka njerëz që kanë pretendimet e tyre. Unë mendoj se është e rëndësishme të jesh i sinqertë. Pavarësisht se me kë ke të bësh. të gjithë bëjmë gabime. Preferoj që dikush të ma thotë në fytyrë kur nuk jam mirë. Kritikat e ndershme të ndihmojnë për t’u përmirësuar. Unë ia kam thënë shumë herë trajnerit Challandes që nuk jam i kënaqur me pozicionet që më ka vendosur në fushë. Çfarë më ka thënë? Që duhet të ndihmoj ekipin. Jam përpjekur, pavarësisht pozicionit. E kam treguar te Zurich ku mund të jap më të mirën. Është e vërtetë që Challandes ka karakter të fortë, por është gjithashtu një person shumë mirëkuptues. Është një trajner që ka shumë eksperiencë”. /abcnews.al

