Real Madrid ka sqaruar me anë të një komunikate zyrtare problemet e Thibaut Courtois. Belgu u ndje keq në pushim të sfidës kundër Club Brugge në Champions dhe nuk zbrit më në fushë, duke i lënë vendin Areolës.
Mediat spanjolle zbuluan se portieri kishte vjellë për shkak të një problemi në stomak dhe nuk kishte qenë në gjendje t’i jepte makinës për në shtëpi. Të shumta ishin hipotezat e hedhura, teksa flitej edhe për gjendje ankthi e stresi për Courtois. Klubi spanjoll ka sqaruar të vërtetën, duke zbuluar edhe problemet e 27-vjeçarit.
“Lojtari jonë nuk është diagnostikuar kurrë me probleme ankthi, kështu që çdo informacion i shpërndarë është fals. Thibaut vuan nga gastroenteriti akut me dehidratim dhe çekuilibrim të elektroliteve. Ky është shkaku pse nuk zbriti në fushë pjesën e dytë kundër Brugge. Courtois po reagon në mënyrë të favorshme ndaj trajtimit mjekësor”, përfundon deklarata e Realit.
Gastroenteriti akut është një nga problemet më të zakonshme shëndetësore, nga i cili mund të vuajnë si të rriturit ashtu edhe fëmijët e vegjël. Simptoma kryesore e gastroenteritit është diarreja që fillon papritur (më shumë se 3 herë në ditë për disa ditë rresht) dhe zakonisht nuk shoqërohet me gjakrrjedhje (hemoragji).
Te tjera simptoma mund të jene të vjella, dhimbje barku ose/dhe ethe. Shkaku është mikrobial, dmth infeksion i zorrëve. Shkaktar mund të jetë një bakter, parazit ose virus. /abcnews.al