Katastrofë e vërtetë e Realit në ligën spanjolle. Humbje e rëndë në fushën e Eibarit, me skuadrën nga Madridi që vazhdon krizën e lojës dhe të rezultateve.
Nuk mund të quhet një mundësi e humbur. Aspak, kjo që i ndodhi Realit në stadiumin e Eibarit e ka emrin “kapitullim”. Vetëm pak ditë pasi klubi konfirmoi Santiago Solarin si trajner me fuqi të plota, skuadra madrilene pësoi një katastrofë të vërtetë në La Liga, duke humbur 0-3 përballë një rivali tepër modest.
Në prani të jo më shumë se 7 000 spektatorëve, ekipi i yjeve si Kurtua, Marselo, Ramos, Modriç, Kros, Bejl apo Benzema, mori një leksion nga lojtarë të vlerësuar fare pak. Eskalante shënoi golin e parë që në minutën e 16-të, ndërsa pas pushimit kur pritej reagimi madrilen, erdhën edhe dy rrjeta të tjera, me autorë Sergi Enrikun dhe Kiken.
Çfarë ndodhi me kampionët e Europës?
Ndoshta akuzat për doping ndaj kapitenit Ramos kanë ndikuar tek vetë lojtari dhe tek skuadra, por kur humbet kështu, shkaqet janë më të thella. Reali i këtij sezoni vazhdon të mos bindë, ndërsa gjithnjë mendohet largimi i Kristiano Ronaldos, njeriut që shënonte nga 40 apo 50 gola çdo sezon.
“E shtuna e zezë” ishte emri që i vunë mediat disfatës në stadiumin “Ipurua”, ku më të dobëtit u cilësuan Marselo dhe Bejl. Pavarësisht nga gabimet e Barcelonës apo të Atletikos së Madridit, nuk duket se ky Real është në gjendje të përfitojë dhe të synojë titullin kampion./abcnews.al